
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në fjalimin e tij në Kuvendin e Dhjetë Zgjedhor të LDK-së, ka theksuar se anëtarët e këtij subjekti janë ndjekës të presidentit historik dhe themeltarit, Ibrahim Rugova.
“Kjo festë është edhe më madhështore sepse në vete përmban pjesëmarrjen e 35 mijë anëtarëve tanë në proceset zgjedhore të partisë. Ky nivel i masivizimit demokratik është shenjë jo vetëm e një vitaliteti partiak, por edhe shenjë e një thirrjeje, e një kushtrimi të anëtarësisë si pritje e tyre ndaj secilit prej nesh”.
“Këtë pritje duhet ta ushtrojmë siç dimë ne si të djathtë, patriotë, mbi të gjitha si ndjekës të arkitektit të Republikës, atit themeltar të Kosovës, presidentit historik doktor, Ibrahim Rugova”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku foli për punën e tij prej dy vjet e gjysmë si kryetar. 333 delegatëve iu tha se ata kanë marrë “detyrën e delegimit të kësaj përgjegjësie drejt organeve të reja të partisë, për t’i dhënë prirje e orientim jo vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe gjithë Republikës së Kosovës”.
“Kjo peshë është bukur e rëndë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se me të në krye, LDK ka arritur ta bëjë “rrugën e ringritjes së madhe”.
“Së bashku kemi arritur ta bëjmë rrugën e ringritjes sonë të madhe, atë që e kërkonim të gjithë, atë që besonim se do ta gjenim të gjithë. E gjetëm sepse kemi ecur drejt, na gjeti sepse kemi ecur mbarë.” – tha Abdixhiku.
“Dy vite e gjysmë më parë, ne u gjendëm para një sfide të pazakontë për ne”, tha ai, duke përmendur rezultatin më të dobët historik që LDK e mori në zgjedhjet e vitit 2021.