Zgjedhja e dyshimtë e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës

15.09.2015 00:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Zgjedhja e dyshimtë e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës

Fridrik Dulaj ka bërë kritika të rënda ndaj drejtuesve të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Ai ishte kryetar i komisionit qendror të zgjedhjeve për këshillin drejtues. Thotë se rregullorja e statuti u shkelën kur votuan ushtruesit e detyrës së rektorit e prorektorëve. Ngjashëm kritikojnë edhe studentët që paralajmërojnë protestë. Drejtuesit e universitetit mohojnë akuzat.
Universiteti i Gjakoves “Fehmi Agani” ka zgjedhur këshillin drejtues prej shtatë anëtarëve.

Katër janë zgjedhur me vota të senatit të këtij Universiteti ndërsa tre janë emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Gjakovës, është një prej të emëruarve nga ministria.

Por përkundër zgjedhjës së një politikaneje në krye të universitetit ankesat janë janë bërë kundër zgjedhjës së anëtarëve nga senatit i Universitetit.

Senati më 6 gusht të këtij viti zgjodhi për anëtarë të këshillit Besim Muhadrin, Selami Sylejmanin, Kushtrim Grezdën e Gentiana Muhaxhirin. Zgjedhja e tyre u shoqërua me ankesa të shumta nga dekanë, profesorë dhe Parlamenti Studentor.

Kritikohet votimi nga ushtruesi i detyrës së rektorit

Hasan Mujaj është ushtrues detyre i rektorit të këtij universiteti. Parashtesën “ushtrues detyre” e mbajnë edhe prorektorët e këtij universiteti.

Ata kishin marrë pjesë në votimin për këshillin drejtues të universitetit por pjesëmarrja e tyre po kritikohet nga të tjerët që ishin votues më 6 gusht.

Fridrik Dulaj ishte kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor në Universitetin e Gjakovës.

Ai thotë se kishte ngritur zërin kundër parregullsive në mbledhjën e gjashtë gushtit.

“Ata (ushtruesit e detyrës) nuk kishin të drejtë as të merrnin pjesë në mbledhje e aq më pak të propozonin emra për këtë pozitë e të votonin”, thotë Dulaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai tregon se mbledhja ishte hapur nga Mujaj.

Më pas Mujaj kishte dalur nga mbledhja derisa janë zgjedhur dekanët që përbëjnë Senatin e Universitetit.

Senati më pas kishte caktuar kryesuesin e mbledhjës për zgjedhjën e këshillit drejtues. Ky nder i takon anëtarit më të vjetër të universitetit. Kjo ishte respektuar, tregon Dulaj.

Por shkelja, sipas tij, kishte ndodhur kur ushtruesit e detyrës ishin kthyer në sallë.

“Kur erdhi moment për zgjedhjen e katër personave të këshillit drejtues, Ushtruesi i detyrës së Rektorit dhe Ushtruesit e detyrës së Prorektorëve erdhën në mbledhje, morën pjesë, propozuan dhe votuan. Unë që në fillim e ngrita dorën dhe e kundërshtova këtë, ju thash që nuk keni të drejtë dhe se mandati i juaj ka mbaruar“, thotë Dulaj.

Ai kishte kërkuar interpretim ligjor nga sekretarja e universitetit. Thotë se sekretarja i kishte që Mujaj dhe të tjerët mund të votonin.

“Në fakt e largova përgjegjësinë time si Kryetar i Komisionit Zgjedhor. Zgjedhja procedoi, u zgjodhën anëtarët e rinj”, thotë Dulaj.

Përvec tij, edhe Kamber Kamberi, dekan i Filologjikut në këtë universitet ka ankesa lidhur me zgjedhjet për këshill drejtues.

“Është shkelje…nuk është vepruar siç është vepruar në zgjedhjet e Universiteteve të tjera”, thotë Kamberi teksa ankohet për pjesëmarrjën në votim të ushtruesit të detyrës së rektorit dhe ushtruesve të detyrës së prorektorëve.

Kamberi thotë se votimi i ushtruesit të detyrës së rektorit dhe ushtruesve të detyrave të prorektorëve është një lloj presioni për këshillin drejtues.

“Pasi që Këshilli Drejtues me votat e tyre ka me e zgjedh Rektorin e ri, pjesëmarrja e Ushtruesve të Detyrës aty mund të quhet presion”, thotë ai.

Kamberi thotë se bashkë me Dulajn pas mbledhjës kishin drejtuar ankesa tek Ministria e Arsimit dhe Inspektorati Rajonal i Arsimit në Gjakovë. Thonë se nuk kishin marrë përgjigje në ankesat e tyre.

Dulaj thotë se kishte takuar edhe Arsim Bajramin, ministrin e arsimit.

Ai tregon se Bajrami kishte ftuar Hasan Mujajn, ushtruesin e detyrës së rektorit për ta uruar për zgjedhjën e këshillit të ri drejtues.

Mujaj, thotë Dulaj, e kishte marrë me vete atë dhe sekretaren e universitetit.

Gjatë takimit me ministrin ishte treguar nga të tjerët ecuria e zgjedheve. Ishte përshkruar si e rregullt.

“… Kur unë fillova që t’i shpjegoj se si ka shkuar procesi dhe t’i tregoj për parregullsit, Ministri bëri shenjë me dorë, duke thënë se takimi kishte përfunduar dhe se zgjedhjet ishin mbyllur me sukses”, tha Dulaj.

Ndërsa për këshilltarin e Ministrit të Arsimit, Faton Fetahun, çdo gjë ka shkuar sipas rregullave dhe ligjeve.

Fetahu konfirmoi takimin që ministri Bajrami kishte pasur me delegacionin nga Universiteti i Gjakovës. Dulaj, sipas tij, kishte pasur pretendime të pabaza.

Mujaj nuk komenton

Por ankesat e Dulajt dhe Kamberi i quan të pabaza Linda Dula-Halilabazi, ushtruese e detyrës së sekretares së universitetit.

“Përderisa Rektori e thërret dhe e kryeson mbledhjen e Senatit, ai automatikisht ka të drejtë pjesëmarrje në zgjedhjën e Këshillit Drejtues”, thotë sekretarja për Gazetën Jeta në Kosovë.

Megjithatë kur flet për proces, Dula-Halilabazi anashkalon faktin se Hasan Mujaj ka pozitën e ushtruesit të detyrës e jo të rektorit me mandat të plotë.

Gazeta Jeta në Kosovë provoi të intervistojë Hasan Mujajn lidhur me ankesat që bëhen kundër tij.

Ai nuk deshi të komentojë.

“…lene ketë çështje, kemi punë më të rëndësishme”, tha Muja nëpërmjet telefonit për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndryshe vepruan universitetet tjera

Në këtë periudhë shumica e Universiteteve Publike në Kosovë, kanë filluar që të bëjnë zgjedhjen e Këshillit Drejtues.

Një prej tyre është edhe Universiteti i Mitrovicës.

Ahmet Jashari, zëdhënës i këtij universiteti, tregoi se ky institucion ndoqi procedurë të ndryshme me Gjakovën për zgjedhjen e Këshillit Drejtues.

Jashari u shpreh se ushtruesi i detyrës së rektorit ka kryesuar mbledhjën deri në zgjedhjen e dekanëve që e përbëjnë senatin dhe zgjedhjën e kryesuesit të përkohshëm të mbledhjës për këshillin drejtues.

“Rektori i përkohshëm tërhiqet, ai nuk ka mandat, dhe nuk mund ta mbajë mbledhjen prej atij momenti”, tha Jashari.

Procedurë të ngjashme me Mitrovicën kishte ndjekur edhe Prizreni.

“Në zgjedhjen e Këshillit Drejtues, nuk kishin marrë pjesë Ushtruesi i Detyrës së Rektorit dhe vartësit e tij”, thotë Ramadan Baraliu, zëdhënës i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Kishte edhe një dallim mes zgjedhjeve të mbajtura në Mitrovicë e Prizren me ato të mbajtura në Gjakovë.

Derisa studentët në këto universitete ishin lajmëruar 72 orë përpara për mbajtën e zgjedhjeve për këshill drejtues në Gjakovë kjo ishte bërë vetëm një orë para mbledhjes.

Urim Shoshi, anëtar i ri i Senatit nga radhët e Parlamentit Studentor tha se kur atë e kishin njoftuar për këtë mbledhje, ai vetëm sa ishte nisur nga Peja për në Gjakovë, dhe as nuk ishte në dijeni se çka do të veprohej në atë mbledhje.

“Nuk na kanë treguar asgjë, por vetëm na kanë treguar se kemi për të mbajtur një mbledhje dhe kur kemi shkuar në mbledhje na është treguar se çka ka për t’u bërë, dhe ne kemi votuar pro zgjedhjes sepse nuk i kemi ditur as ligjet dhe asgjë aty”, thotë Shoshi.

Ai shton se më pas i ka rënë pishman që ka votuar pro.

Ankesë të ngjashme ka edhe Miranda Lushaj, kryetare e parlamentit studentor.

“Në mbledhje ne nuk kemi qenë të njoftuar as për rregulloret ne as për statutin e Universitetit dhe as të drejtat që ka senati. Aty na është shpërnda statuti dhe ka filluar mbajtja e mbledhjes”, tha Lushaj.

Ankesat e studentëve i ka komentuar sekretarja e universitetit.

Ajo e pranoi që studentët janë thirrur me vonesë “një ditë përpara, nuk jam e sigurt”.

“… ata kanë qenë pjesë e mbledhjes, sikur ata të ishin larguar atëherë do të ishte krejt diçka tjetër, …. dhe nëse ne jemi shkelës të procedurave atëherë edhe ata janë bashkëkryerës, bashkë shkelës”, thotë Dula- Halilabazi.

“Inspektojmë, nëse gjejmë kohë”

Gjithë këtë proces të zgjedhjeve e kishte mbikëqyrur vëzhguesi nga Ministra e Arsimit, Bekim Samadraxha.

Ai kishte raportuar te ministri Bajrami se gjithcka kishte shkuar në rregull.

I njëjti vëzhgues kishte qenë edhe në universitetet e tjera.

Për Samadraxhen edhe pjesëmarrja e Ushtruesit të Detyrës së Rektorit dhe Prorektorëve nuk përbën shkelje.

“Është respektuar ligji, çdo gjë ka shkuar sipas ligjit, pjesëmarrja e tyre në mbledhje nuk paraqet shkelje”, tha Bekim Samadraxha, vëzhgues nga MASHT-i

Por me zgjedhjet për Këshillin Drejtues në Gjakovë po merret Inspektorati rajonal i Arsimit, në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

Zef Osmani, udhëheqës i këtij sektori tha se ata janë duke e rishikuar rastin.

“Ne i kemi marrë ankesat, të cilat na kanë ardhur në email. Jemi duke u munduar që të gjejmë kohë që ta bëjmë inspektimin”, Osmani.

Ai tregoi se për këtë çështje kanë kërkuar ndihmë edhe nga inspektorati qendror, pasi që numri i inspektorëve në rajonin e Gjakovës është i vogël. /Gazeta Jeta në Kosovë/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


AKB: Kush del kundër Amerikës, del kundër zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës

AKB: Kush del kundër Amerikës, del kundër zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës

Prishtina, Prizreni, Gjakova e Ferizaj në listë – Këto janë komunat ku do të rinumërohen votat

Prishtina, Prizreni, Gjakova e Ferizaj në listë – Këto janë komunat ku do të rinumërohen votat

Murati kritikon Komunën e Prishtinës për transportin publik: Shkelje e plotë e ligjit

Murati kritikon Komunën e Prishtinës për transportin publik: Shkelje e plotë e ligjit

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit