Zelensky: Rusia po përpiqet ta “zbrazë” Donbasin

E publikuar: 30/04/2022 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për kryerjen e bombardimeve brutale të vazhdueshme mbi ndërtesat dhe zonat e banuara të rajonit lindor të vendit të tij.

Ai e krahasoi breshërinë e sulmeve me situatën në Mariupol, një qytet që është shkatërruar kryesisht pasi u godit nga sulme pothuajse të përditshme që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt.

“Nëse pushtuesit rusë janë në gjendje të realizojnë planet e tyre qoftë edhe pjesërisht, atëherë ata kanë mjaft artileri dhe avionë për ta kthyer të gjithë Donbasin në gurë. Siç bënë me Mariupolin”, u shpreh ai.

Ai shtoi se qyteti juglindor është kthyer në një “kamp rus përqendrimi mes rrënojave”, raporton Sky News.

Brenda Mariupolit, një betejë po zhvillohet në fabrikën e çelikut Azovstal, e cila është bërë bastioni i fundit në zonë.

Trupat ukrainase kanë luftuar me sukses kundër forcave ruse deri më tani, por kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko, tha se situata është e tmerrshme dhe qytetarët po luten për shpëtim.

“Nuk është çështje ditësh, është çështje orësh”, tha ai.