Lajmet

Zbulohet letra e Hoxhës drejtuar Kurtit për dorëheqjen: Sistemi nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë

30.10.2026 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Zbulohet letra e Hoxhës drejtuar Kurtit për dorëheqjen: Sistemi nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, këtë të premte ka dhënë dorëheqje morale nga kjo pozitë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hoxha ka thënë se vendimin e ka marrë pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke theksuar se interesi i shtetit dhe dinjiteti i institucionit janë mbi çdo interes personal, njofton Dukagjini.

Ai ka vlerësuar se dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues për institucionet e drejtësisë dhe shoqërinë në përgjithësi, ndërsa ka pranuar se sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit.

“Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, vlerësoj se nevojitet një qasje shumë më e koordinuar ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Shërbimet Sociale, Gjykatat dhe organizatat joqeveritare, pasi sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit”, ka shkruar Hoxha.

Duke iu referuar drejtpërdrejt vrasjes së Arlinda Zekajt, ai ka thënë se dorëheqjen e konsideron si një vendim që buron nga përgjegjësia morale dhe institucionale.

“Andaj, duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Hoxha ka theksuar se përgjegjësia e një udhëheqësi nuk përfundon vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe garantimin e standardeve të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit në institucionin që drejton.

“Këtë vendim e marr me bindjen se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale. Ajo nënkupton edhe përgjegjësinë për të garantuar që institucioni që drejtojmë të ruajë standardet më të larta të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit. Besoj se ndonjëherë përgjegjësia morale kërkon vendime të vështira. Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies”, thuhet në letrën e tij.

Ai ka shtuar se dorëheqja nuk përbën braktisje të Policisë së Kosovës, por sipas tij, është mesazh se institucionet duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi publik duhet të mbrohet përmes përgjegjësisë.

Në të njëjtën letër, Hoxha ka përmbledhur edhe disa nga rezultatet e Policisë së Kosovës gjatë periudhës sa ishte në krye të këtij institucioni, nga marsi i vitit 2023 deri më 30 tetor 2026.

Ai ka përmendur si sfida kryesore të kësaj periudhe situatën e sigurisë në veri të vendit, veprimtarinë e strukturave ilegale, operacionet kundër kriminalitetit dhe sulmet ndaj institucioneve të Kosovës.

Ndër arritjet që ka veçuar janë marrja nën kontroll e stacioneve policore në veri, garantimi i pranisë dhe funksionimit të Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, organizimi i zgjedhjeve lokale në komunat veriore dhe marrja nën kontroll e objekteve komunale më 26 maj 2023.

Hoxha ka përmendur edhe reagimin e Policisë ndaj sulmit në Zveçan më 29 maj 2023 dhe operacionin kundër grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator të po atij viti.

Një tjetër rezultat që ka veçuar është menaxhimi dhe hetimi i sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, për të cilin ka thënë se Policia ka kontribuar në zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.

“Këto sfida përfshijnë operacionet kundër targave ilegale, laboratorëve të drogës dhe fermave të kriptovalutave, largimin e barrikadave ilegale, sfidimin e pranisë policore në veri nga organizatat ilegale terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, deri te dorëheqjet masive të zyrtarëve policorë të komunitetit serb. Përkundër këtyre sfidave, kemi arritur të marrim nën kontroll stacionet policore në veri, të garantojmë praninë dhe funksionimin e Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, të organizojmë me sukses zgjedhjet lokale në komunat veriore dhe të sigurojmë marrjen nën kontroll të objekteve komunale më 26.05.2023. Po ashtu, Policia e Kosovës u përball me sukses me sulmin në komunën e Zveçanit më 29.05.2023, si dhe me operacionin kundër grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24.09.2023, ku Policia e Kosovës dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit. Një tjetër sukses i rëndësishëm ishte menaxhimi, hetimi dhe arrestimi i personave të dyshuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, duke kontribuar në zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e personave përgjegjës”, ka shkruar Hoxha në letër.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shënuar rezultate edhe në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit, krimeve kibernetike dhe mashtrimeve me kriptovaluta.

Hoxha, mes tjerash, vlerëson se Kosova sot ka më pak vrasje, më pak krime të rënda dhe grabitje, duke u renditur ndër vendet më të sigurta në Evropë.

Në përmbledhjen e rezultateve, Hoxha ka paraqitur edhe të dhënat për hetimin e krimeve të luftës.

Sipas tij, nga viti 2023 deri më 30 tetor 2026, nga 305 informata të pranuara, Prokuroria ka dhënë 163 autorizime për fillimin e hetimeve. Gjatë kësaj periudhe janë hetuar 63 raste të reja dhe janë iniciuar 66 kallëzime penale kundër 745 personave të dyshuar.

Si rezultat i këtyre hetimeve, sipas të dhënave të paraqitura nga Hoxha, janë arrestuar 62 persona, ndërsa janë gjetur 62 trupa dhe 14 pjesë kockore.

Hoxha ka paraqitur edhe rezultatet e luftimit të fajdesë, duke bërë të ditur se pas formimit të një ekipi të posaçëm hetimor në maj të vitit 2024, janë arrestuar 79 persona të dyshuar për fajde dhe vepra të tjera penale.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 40 operacione policore, në kuadër të të cilave janë kontrolluar rreth 90 objekte banimi dhe objekte përcjellëse.

Në këto operacione janë sekuestruar vetura, para dhe pasuri të tjera, me vlerë të përgjithshme të përafërt prej tetë milionë eurosh.

Në letrën e tij, Hoxha ka përmendur edhe rezultatet e hetimeve në rastet e njohura si “WHITE STAR” dhe “SKYECC”.

Sipas tij, në kuadër të këtyre rasteve janë arrestuar 37 persona, ndërsa si prova materiale janë sekuestruar 153 mijë e 560 euro, 49 armë të ndryshme, 2 mijë e 26 fishekë, 13 mijë euro të dyshuara si të falsifikuara, 76 vetura dhe 39 orë dore të markave të shtrenjta.

Në mesin e pasurive të evidentuara janë 20 banesa, pesë depo, 12 garazhe, katër lokale, gjashtë shtëpi, dhjetë pyje, 170 parcela dhe një hotel, me vlerë të përafërt prej 49.8 milionë eurosh.

Po ashtu, janë ngrirë 47 llogari bankare, me vlerë të përgjithshme prej mbi 1.5 milion eurosh.

Sipas përmbledhjes së tij, vlera e përgjithshme e sekuestrimeve, konfiskimeve dhe ngrirjeve të pronave dhe llogarive bankare në këto raste arrin në 53 milionë e 974 mijë e 918 euro.

Në fund të letrës, Hoxha ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për punën dhe përkushtimin e tyre, si dhe familjet e tyre për mbështetjen e vazhdueshme.

Ai ka përmendur edhe policët që kanë rënë në kryerje të detyrës, duke thënë se sakrifica e tyre mbetet pjesë e kujtesës dhe nderit të këtij institucioni.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Pushimi i hetimeve për Pecin, Pacollin e Aliun dhe intervistimi i sotëm i Përparim Ramës, Specialja del me reagim

Pushimi i hetimeve për Pecin, Pacollin e Aliun dhe intervistimi i sotëm i Përparim Ramës, Specialja del me reagim

Zbulohet letra e Hoxhës drejtuar Kurtit për dorëheqjen: Sistemi nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë

Zbulohet letra e Hoxhës drejtuar Kurtit për dorëheqjen: Sistemi nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë

Kurti kërkon koordinim dhe planifikim të përbashkët për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Kurti kërkon koordinim dhe planifikim të përbashkët për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Marta Kos prezanton në 4 nëntor Paketën e Zgjerimit të BE-së, përfshirë edhe Shqipërinë

Marta Kos prezanton në 4 nëntor Paketën e Zgjerimit të BE-së, përfshirë edhe Shqipërinë

Prokuroria Speciale: Përparim Rama u intervistua si i pandehur në rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”

Prokuroria Speciale: Përparim Rama u intervistua si i pandehur në rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”

Rama pas intervistimit në Prokurorinë Speciale: Jemi plotësisht transparentë, të gatshëm për bashkëpunim

Rama pas intervistimit në Prokurorinë Speciale: Jemi plotësisht transparentë, të gatshëm për bashkëpunim

KPK publikon arsyet e suspendimit të prokurores Nallbani-Gacaferri: Ishte në dijeni për kërcënimin ndaj Arlinda Zekajt

KPK publikon arsyet e suspendimit të prokurores Nallbani-Gacaferri: Ishte në dijeni për kërcënimin ndaj Arlinda Zekajt

Arifi i AAK-së e quan “të poshtër” konferencën e Gërvallës dhe Sveçlës, kërkon dorëheqjen e tyre

Arifi i AAK-së e quan “të poshtër” konferencën e Gërvallës dhe Sveçlës, kërkon dorëheqjen e tyre

Osmani: Në Oxford Union, historia e Kosovës u dëshmua aty ku dëgjohen zërat e botës

Osmani: Në Oxford Union, historia e Kosovës u dëshmua aty ku dëgjohen zërat e botës

Drejtori i Policisë Gazmend Hoxha jep dorëheqje

Drejtori i Policisë Gazmend Hoxha jep dorëheqje

Lushaku: Qysh po mendoni ta mbani pushtetin kur dështimi kushton jetë njerëzish

Lushaku: Qysh po mendoni ta mbani pushtetin kur dështimi kushton jetë njerëzish

Vendos Supremja: Policia s’mund t’ua konfiskojë shoferëve patentë-shoferin më shumë se 8 ditë

Vendos Supremja: Policia s’mund t’ua konfiskojë shoferëve patentë-shoferin më shumë se 8 ditë

Sveçla: Raporti evidenton shkelje serioze të Policisë në rastin e Arlinda Zekajt

Sveçla: Raporti evidenton shkelje serioze të Policisë në rastin e Arlinda Zekajt

Gërvalla: Nëse dorëheqja do të kontribuonte, do ta kisha dhënë

Gërvalla: Nëse dorëheqja do të kontribuonte, do ta kisha dhënë

“Gërvalla nuk përgjigjet, e kqyr tokën, tavolinën”, deputetja Ymeri tregon a mori përgjigjen e pyetjes në seancë

“Gërvalla nuk përgjigjet, e kqyr tokën, tavolinën”, deputetja Ymeri tregon a mori përgjigjen e pyetjes në seancë

“Skandal pas skandali”, raporti për Arlindën, Musliu: Gabim në titull, dorëheqje Donikë

“Skandal pas skandali”, raporti për Arlindën, Musliu: Gabim në titull, dorëheqje Donikë