Z Mobile Prishtina e fiton ndeshjen ndaj Golden Eagle Yllit që vazhdoi të dielën

E publikuar: 17/02/2019 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vendimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndeshja e ndërprerë të shtunën ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Z Mobile Prishtinës, ka vazhduar të dielën, ndërsa fitues kanë dalë bardhekaltrit (98-93).

Skuadra nga Suhareka vendosi të mos e vazhdonte ndeshjen, pasi që delegati i  FBK-së kishte kërkuar zbrazjen e palestrës “13 Qershori” për shkak të hedhjes së gjësendeve në parket.

Në këtë mënyrë, sfida e të shtunës mbrëma u ndërpre në fund të çerekut të tretë dhe ka nisur pikërisht aty ku ishte ndërprerë, por kësaj radhe pa prezencën e tifozëve.

Gjatë të shtunës, kryeqytetasit e mbyllën dhjetëminutëshin e parë me gjashtë pikë epërsi (20:26), ndërsa pas fraksionit të dytë (21:25) shkuan në pushim me dhjetë pikë epërsi (41-51).

Në çerekun e tretë (që filloi të shtunën dhe vazhdoi të dielën), vendasit i shënuan dy pikë më shumë se mysafirët (23:21), në përpjekje që t’i ndryshonin gjërat.

Nikoqirët e fituan edhe fraksionin e fundit të lojës (29:26), mirëpo jo mjaftueshëm për ta fituar edhe ndeshjen.

Z Mobile Prishtina vazhdon të jetë lider i pakontestueshëm i Superligës së Kosovës në basketboll me 19 fitore të regjistruara nga 19 ndeshje të zhvilluara.

Golden Eagle Ylli pozicionohet në vend të dytë në tabelë me pikë të barabarta me Rahovecin që ndodhet një vend më poshtë. /Telegrafi/