Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar për vizitën që i ka bërë kësaj partie përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ai përmes këtij postimi thekson se përfaqësuesen e BE-së në Kosovë e njoftoi për zhvillimet në vend dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të kursit politik e të qeverisjes në Kosovë, për ta vendosur atë në rrugë drejt sovranizimit.
Më poshtë, teksti i plotë i postimit të kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila ka marrë mandatin këtë shtator, vizitoi sot Lëvizjen Vetëvendosje.
E njoftova Apostolova me situatën politike që po mbretëron në vendin tonë si dhe me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje që lidhen me rrugën e Republikës së Kosovës drejt BE-së dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të kursit politik e qeverisjes në Kosovë, për ta vendosur atë në rrugë drejt sovranizimit dhe zhvillimit ekonomik, e drejt rritjes së mirëqenies e barazisë shoqërore për popullin e Kosovës.