Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit (DPC) në Berlin, ka thënë se plani franko-gjerman i propozuar në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, është një hap drejt marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve.
Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, Weber është deklaruar edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se i njëjti mund ta dështojë të gjithë procesin e dialogut.
Ndër të tjerash, Weber pohoi se situata në veri të Kosovës është pjesërisht e lidhur me planin franko-gjerman, duke shtuar se Beogradi është nën presion si pasojë e ndryshimit të qasjes së BE-së ndaj tij prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Sipas tij, vetëm marrëveshja përfundimtare mund të sjellë ndryshime në dialog, njofton Klankosova.tv.
Intervista e plotë:
Si e komentoni plan franko-gjerman?
Ka pasur më shumë thashetheme sesa informacione të sakta se çfarë përmban plani. Përveç kësaj, edhe nëse dokumenti i botuar në “Euractiv” javën e kaluar është origjinal, është e qartë se kjo është larg nga i gjithë plani. Përshtypja ime, bazuar në njohuritë e mia, është se ai është më pak se një plan i saktë, dhe më shumë një agjendë afatmesme, një hap i mesëm drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Një përpjekje për të kaluar periudhën e mëparshme, apo një periudhe të ndërmjetme, e përqendruar në çështje dypalëshe, që ka rezultuar se nuk është projektuar për të mundësuar shumë përparim. Një përpjekje për t’iu kthyer çështjes thelbësore të mosmarrëveshjes së statusit, pra pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Sipas asaj që ka qarkulluar në media, plani ka nëntë pika. A pranohet kjo për Kosovën dhe Serbinë?
Nuk mendoj se dokumenti, edhe nëse origjinal, është i gjithë plani. Sido që të jenë detajet e plota të planit, unë jam skeptik se do të ketë sukses, sepse për mua vetëm marrëveshja gjithëpërfshirëse, përfundimtare mund ta thyejë ngërçin, përfshirë edhe çështjen e Asociacionit.
Pse në këtë propozim nuk është përfshirë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe njohja?
Epo, kjo është pyetja – nuk jam i sigurt se Asociacioni, për të cilin tashmë ekzistojnë 2 marrëveshje, nuk është pjesë e planit më të gjerë. Por nëse plani është që vetëm të kërkohet nga Prishtina, siç po bëjnë aktualisht Brukseli dhe Uashingtoni, që të fillojë themelimi i Asociacionit, i gjithë procesi do të dështojë – kishte një arsye pse dialogu dështoi në vitin 2015 për çështjen e Asociacionit. Dhe njohja nuk është pjesë e nismës aktuale, pasi është e kufizuar në hapa të ndërmjetëm.
A do të thotë se në këtë plan nuk do të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Ka mundësi. Nisma aktuale bazohet vetëm në qasjen për të mos u marrë me hapat përfundimtarë tani, që është njohja.
A është e lidhur situata në veri të Kosovës me draft propozimin franko-gjerman?
Unë do të thosha pjesërisht. Situata është përgatitur nga hapi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës, nga vendimi për targa dhe rezistenca për t’u dorëzuar ndaj thirrjeve Perëndimore për shtyrjen e vendimit. Beogradi është nën presion, së pari sepse tensionet e mëparshme të shkaktuara nga veprimet e njëanshme të Prishtinës përfunduan me sukses për Kosovën, plus nga ndryshimi i qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Por besoj se plani franko-gjerman e ka bërë Beogradin edhe më tepër nervoz.
Si i komentoni takimet e Parisit për Kosovën?
Nga deklaratat publike, duket qartë se takimet nuk sollën ndonjë përparim. /Klankosova.tv