nalisti gjerman i Democratization Policy Council, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për pritjet e tij rreth ardhjes së kryeministres estoneze, Kaja Kallas, në krye të diplomacisë evropiane në vend të spanjollit Josep Borell.
Weber thotë se mbi të gjitha është mirë të shohësh një personel të ri që do të merren me Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe gjithashtu edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
Eksperti gjerman që njeh mirë rajonin thotë se largimi i Borell, emisarit Lajçak, Angelina Eichhorst nga Shërbimi Diplomatik i BE-së dhe gjithashtu edhe përfundimi i mandatit të Oliver Varhelyi në Komision Evropian janë lajme të mira.
Weber këtë e argumenton duke thënë se dyshja Borell dhe Lajçak që vijnë nga dy vende mosnjohëse kanë punuar keq dhe në iniciativën franko-gjermane, të dënuar të dështojë sipas Weber.
Ndërkohë për Oliver Varhelyi, Weber thotë se ka ndjekur agjendën joliberale ndaj Ballkanit Perëndimor të “mësuesit” të tij në Budapest.
Tutje eksperti i DPC thotë se ardhja e Kallas në krye të BE-së është premtuese, duke qenë se e merr detyrën nga dy përfaqësues që s’e kanë njohur Kosovën, ndërkohë që Kallas ka pozicion të fortë kundër Rusisë.
Weber thotë se duhet një ndryshim rrënjësor në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, meqë sipas tij, plani franko-gjerman ka dështuar.
“Ajo që na duhet pas dështimit të dukshëm të nismës gjermano-franceze, të Marrëveshjes Themelore dhe të Ohrit, është një rivendosje e plotë e dialogut drejt negociatave për një marrëveshje vërtetë gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, dhe ato negociata duhet të bazohen në një kthesë në politikën e BE-së për Serbinë, d.m.th. BE-ja përfundimisht bëhet e ashpër ndaj regjimit të Vuçiqit”, ka thënë ai për Express.
Weber kur flet për rolin e Kallas në procesin e dialogut, thotë se duhet parë se cili është sfondi i pozicionit të saj për të mos emëruar një pasardhës për Miroslav Lajcak.
“D.m.th. nëse ajo nuk e kupton rëndësinë të dialogut apo nëse ajo dëshiron ta udhëheqë atë vetë. Në çdo rast, duke pasur parasysh listën e sfidave globale me të cilat do të përballet dhe kapacitetet e saj të kufizuara, ajo do të ketë nevojë për mbështetje që dikush të bëjë “shuttle diplomacinë” në dialog për të, kështu që është mirë që shtetet anëtare të BE-së tashmë e kanë shtyrë idenë e saj fillestare”, shprehet Weber.
Për vazhdimin e mandatit të Miroslav Lajcak dhe rreth asaj se nëse ky vendim i BE-së tregon synim për të pasur një progres real deri në fund të vitit, Weber thotë se ky veprim i Brukselit është thjeshtë teknik, për të mos lënë zbrazësi.
Sipas analistit gjerman askush s’pret të ketë progres sa i përket implementimi të marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi. Weber thotë se ndërkombëtarët e dinë që marrëveshja Bruksel-Ohër është e dështuar, vetëm se autorët e saj s’janë ende gati të pranojnë.
Weber thotë se mezi pret të nis një kapitull i ri i dialogut me ndryshime serioze.
“Askush në BE nuk pret seriozisht ndonjë përparim në marrëveshjen Themelore dhe Ohrit. Në fakt, të paktën që nga vjeshta e kaluar, pra edhe para Banjskës, por aq më tepër që nga Banjska, aktorët kryesorë në kryeqytetet perëndimore e dinë nga afër se nisma gjermano-franceze ka dështuar. Vetëm se autorët e iniciativës nuk janë ende gati të pranojnë dështimin, kështu që pyetja kryesore mbetet se kur do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë për të kaluar në një rivendosje serioze të dialogut, ndërkohë që turbullimi i status quo-së së keqe në veri të Kosovës, spiralja dramatike përshkallëzuese që mbetet burim potencial i konflikteve serioze, ka nevojë për kontroll urgjent të dëmeve, d.m.th. mezi pres që të hapet kapitulli tjetër i dialogut”, ka përfunduar eksperti gjerman, Bodo Weber./GazetaExpress/