Vulin është nisur në Kosovë pa e pyetur askënd

E publikuar: 26/03/2018 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia ka njoftuar se përveç Marko Gjuriqit, të cilit nuk i është lejuar vizita në Kosovë, për në veri, pa leje ishte nisur edhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin. Për këtë, Policia ka marrë masa duke dërguar Njësinë Speciale në veri të vendit
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës sot në mëngjes ka zbarkuar në Veri të vendit. Atje kanë për detyrë që të arrestojnë secilin zyrtar serb që ka planifikuar të hyjë në Kosovë, pa i dhënë leje Ministria e Punëve të Jashtme.

Zyrtarë të MPJ-së kanë thënë të premten për Gazetën Express se i kanë refuzuar kërkesën për hyrje në Kosovë, drejtorit të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë e Metohi”, Marko Gjuriq.

Por, sipas njoftimit të Policisë, njësia speciale ka dalë për të parandaluar hyrjen e Gjuriqit por edhe të ministrit të Mbrojtjes, Aleksander Vulin. Ky i fundit nuk ishte përmendur nga MPJ-ja të ketë kërkuar leje për të ardhur në Kosovë, megjithatë, ai ishte nisur të hyjë në Veri.

“Policia e Kosovës, bazuar në planifikimet e saj policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë z. Vulin dhe z. Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas MPJ-së, kërkesa për vizitë i ishte refuzuar Gjuriqit dhe ekipit të tij, për shkak të situatës së krijuar ditëve të fundit dhe pas deklaratave të cilat kanë kontribuar në ngritjen e tensioneve, si dhe deklaratave që bien ndesh me marrëveshjen e Brukselit mes Kosovës e Serbisë. /Express/