Vuçiq e mbledh urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare

E publikuar: 26/03/2018 10:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka thirrur urgjentisht mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare. Mbledhja është caktuar për nesër, bëjnë të ditur mediet serbe. Nuk dihet se cila është arsyeja e kësaj mbledhjeje, por sigurisht ka të bëjë me zhvillimet e sotme në veri
Ndërkohë, Forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, janë nisur drejt veriut të Kosovës me qëllim të arrestojnë Marko Gjuriqin, shkruajnë mediet serbe.

Autoritetet e Kosovës ia refuzuan kërkesën për të hyrë në territorin e shtetit shefit të zyrës për Kosovës, Marko Gjuriq dhe sipas medieve serbe edhe një zyrtari tjetër të Presidencës së Serbisë, Nikola Selakoviq.

Ata planifikonin të shkonin drejt Mitrovicës të hënën, ku sipas medieve serbe planifikonin të merrnin pjesë në diskutimet në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën.

Të premten, Marko Gjuriq kishte thënë se “shqiptarët nuk mund të më ndalin t’i drejtohem popullit tim”.

Express ka raportuar herët në mëngjes se një numër i madh i forcave të Njësisë Speciale të Kosovës, ia ka mësyrë Veriut të Kosovës

Një lexues i Express ka dërguar një video tek shihet një pjesë e rrugës e nxirë nga furgonët e Njësisë Speciale.

Ai thotë se pamjet janë marrë rreth orës 06:00 në mëngjes./Express/