Vizita e Haradinajt më 17 nëntor në Bruksel – Qeveria tregon se a do të diskutohet Demarkacioni

E publikuar: 08/11/2017 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 17 nëntor do ta realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel në cilësinë e shefit të Qeverisë. Atje, siç është paralajmëruar, do të flitet për agjendën evropiane, me theks, zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Por, në këtë takim të rëndësishëm, Qeveria nuk e hedh poshtë mundësinë që njëra nga temat kryesore të jetë edhe Demarkacionit me Malin e Zi.

Shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, mund të jetë temë diskutimi edhe më 17 nëntor, kohë kjo kur kryeministri i Kosovës do t’i drejtohet Brukselit.

Arbër Vllahiu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, shpjegon për gazetën Express se çka saktësisht do të diskutohet në vizitën që shumë shpejt pritet të realizohet.

“Axhenda e kryeministrit të Republikës së Kosovëse Ramush haradinaj është e paracaktuar dhe e dakorduar me BE-në dhe ka të bëjë ekskluzivisht me agjendën europiane, përkatësisht me zbatimin e plotë të MSA-së”, është shprehur Vllahiu, duke thënë se në tërësi do të flitet për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

I pyetur se a do të jetë njëra nga temat edhe çështja e Demarkacionit, Vllahiu ka bërë të ditur se krejt kjo varet, nga rrjedha e bisedimeve atje.

“Kryeministri do të jetë transparent me publikun për rrjedhën e bisedimeve”, ka shtuar ai ndër tjerash.

Më 25 gusht 2015 Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar në Vjenë marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes këtyre dy shteteve.

Marrëveshja ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Ndërkaq, që nga ajo kohë, kjo është njëra nga çështjet më të zëshme në vend, nga ratifikimi i së cilës varet edhe liberalizimi i vizave./GazetaExpress/