Viti 1940: Shqiptarë, serbë dhe italianë

E publikuar: 01/09/2016 23:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ndër librat e parë që u jepet të lexojnë diplomatëve italianë për Shqipërinë dhe Ballkanin është libri jo fort i njohur në Tiranë, “Jugosllavia dhe Shqipëria: kujtime të një diplomati”, i botuar në Romë në vitin 1947, nga diplomati Carlo Umilta.

Në 20 maj të vitit 1940, pas një marrëveshje të Ministrisë së Jashtme në Romë dhe Luogotenentit të Përgjithshëm në Shqipëri Jakomoni, diplomati Carlo Umilta ngarkohet me detyrën e Komisarit Civil për Kosovën dhe Dibrën, rajone të pushtuara nga trupat italiane në lindje dhe veri të Shqipërisë, si dhe mendohej të aneksoheshin në Mbretërinë italiane. Komisari civil i Duçes kishte në letra “detyrën eskluzive të mbante qetësinë mes ortodoksëve dhe myslimanëve dhe t’u përgjigjshim nevojave të tyre, sidomos në tregti dhe furnizime”.

Megjithatë ai do të shkëlqente si një nga funksionarët më realistë italianë për të analizuar gjendjen e pushtimit dhe administrimin, si dhe për të parë nëse është i mundur aneksimi real i vendit. Dhe konstatimi i parë para dorashka i diplomatit Umilta është se, “Aneksimi i Dibrës dhe Kosovës ishte e arsyeshme sepse kishte popullatë shqiptare dhe myslimane. Dhe bashkimi i Shqipërisë dhe Italisë nuk ishte një gabim. Ajo që ishte gabim nga ana jonë ishte se nuk i lamë autonomi ekonomike të nevojshme një popullate që atëherë po gëzonte një liri të paparë kurrë më parë, si dhe gabimi për ti dhënë modelin tonë të qeverisjes një vendi të sapo dalë nga feudalizmi. Këto gabime favorizuan opozitën, në Shqipëri dhe në gjitha rajonet kundër trupave tanë”.

Pa pasur frikë fare, ai përcjell relacionin e tij duke theksuar se aneksim i Shqipërisë në Mbretëri ishte një gabim. Ai shkruan se Shqipëria nuk ishte gati të bashkohej me Kosovën sepse autoritetet shqiptare nuk kishin as mësues për të dërguar në shkolla, as gjykatës apo nënpunës për mbledhjen e taksave. “Në këto anë nuk u gjend edhe një shqiptar mësues për të mësuar gjuhën shqipe; ndonjë mësues u soll nga Tirana, por me pak rezultate”, i shkruan Carlo Umilta zyrës së Romës. Bashkimi i shqiptarëve ishte konceptuar të ndodhte përmes armëve dhe jo përmes dijes.

Prizreni

Vizita e parë e Komisarit Civil të Musolinit për Kosovën dhe Dibrën, është Prizreni ku trupat italiane ishin strehuar në tre kazerma të mira që Jugosllavia kish ndërtuar në periferi të qytetit dhe dukeshin të reja.

Umilta e përshkruan qytetin e Prizrenin në ’40 si qytet të qetë dhe me shumë biznese.

“Qyteti ishte realitivisht i qetë, me shumë dyqane të hapura dhe mjaftueshmërisht të furnizuara pavarësisht kalimit të ushtrive, si fillim ajo Jugosllave në ikje, më pas ajo gjermane e italiane që e kaloi dhe e pushtoi në pak javë. Popullata e saj në festë nga çlirimi dhe për ardhjen time, nga e cila prisnin një shpërndarje të misrit dhe të kripës që mungonte. Vendi ishte e kompozuar nga shqiptarë muhamedanë në mizerje dhe pak sllavo-ortodoksë – padronë të vjetër – që përbënin kësisoj borgjezinë e funksionarëve dhe të tregtarëve të një farë rëndësie, së bashku me klerin ortodoks”.

Megjithatë ndër gjërat e para që konstaton në Prizren, diplomati italian Umilta, ishte se mungonin shërbimet publike (ujësjellës, spitale, shkolla etj) dhe se shqiptarët kishin shumë pak kulturë menaxhimi të punëve publike.

“Përpara ardhjes sime dhe direkt pas okupimit, ushtarët tanë nuk kishin menduar të ndryshonin ndonjë gjë të madhe në organizimin e shërbimeve publike, kështu që Bashkia kishte kaluar në duart e disa myslimanëve shqiptarë, si Kryetari i Bashkisë dhe një këshilli bashkiak, por i gjithë aparati i zyrave, në çdo fushë si gjendja civile, shkollat, spitalet, mbledhja e taksave etj ishte e përbërë nga sllavët, që nuk e toleronin varësinë nga administratorët e rinj dhe që rezistenca e hapur pasive dhe jo pak akteve sabotimi e bënin më të vështirë jetën e vendit”, i raporton ai Romës.

Sipas diplomatit italiane, Qeveria shqiptare në ‘40 nuk kishte asnjë numër të mjaftueshëm personash praktikë në shërbimet publike për t’i dërguar në territorin e ri, që qeverisej akoma me ligjet jugosllave, as persona të besuar që të njihnin gjuhën serbe, për t’i vënë në vend të sllavëve “të pabesë” dhe për të aplikuar një legjislacion që për ta ishte komplet e re. Dhe sipas tij kishte një arsye.

“Shqiptarët kanë qenë, për gjatë 30 viteve, kaq të keqtrajtuar, të shfrytëzuar, të vjedhur nga sllavët, që tani nuk donin t’ia dinin dhe preferonin të refuzonin çdo shërbim publik, edhe atë të kujdesit mjekësor, veçse të mos ishin afër armiqve shekullorë. Kishin filluar duke larguar një sërë njerëzish, dhe të tjerët u kishin reduktuar apo përgjysmuar pagat, ndërsa të tjerëve iu përgatitej e njëjta gjë”, nënvizon ai në raport.

Një ndodhi në Pejë

Pas qytetit të Prizrenit, Komisari civil i Duçes viziton komunat e Gjakovës, Pejës drejt Malit të Zi dhe këtu gjen të njëjtën situatë. Në raportin e tij dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë shkruhet, “Natën e datës 8-9 qershor të 1940 kishte pasur një shkëmbim të madh zjarri, por nuk dihej nëse ishin sllavët apo shqiptarët. Mëngjesin e datës nëntë kishte një treg të rëndësishëm në qytet dhe një numër i madh fshatarësh kishin ardhur të shisnin ç’të mundin. Komandanti ushtarak i qytetit me një mungesë kriteri shumë të çuditshme dha urdhrin patrullave të pozicionuara në dalje të rrugëve që të çonin në shesh dhe në treg të ndalonin çdo shqiptarë që mbërrinte, ta kontrollonin, nëse gjendeshin armë ta shoqëronin në kazermë. Në pak orë, u ndaluan dhe u arrestuan më shumë se një qind shqiptarë, që s’kishin ndonjë armë të madhe, por thika e biçakë të zakonshëm për bukë e mish. Rrugët dhe sheshet e Pejës ishin plot me gomarë të paudhë plot me kova me zarzavate e fruta që priteshin të shiteshin. Padronët e tyre, që nuk kuptonin arrestit e arrestit bënin zhurmë në oborrin e kazermës ndërsa qytetarët e Pejës po merrnin nga kovat çdo gjë që gjendej. Nga bashkia u njoftova për ngjarjet dhe shkova direkt tek koloneli komandat i zonës për të pyetur rreth arsyeve të kësaj zallamahie. Dukej e pabesueshme, por koloneli nga të shtënat e një nate me parë donte të burgoste gjysmë rajon për të gjetur përgjegjësit. Pasi një debati të madh e binda të kërkonte urdhra nga komandanti i tij në Prizren, dhe kështu pasdite u liruan shumë të burgosur fshatarë që pa thika dhe pa gomarë dhe pa zarzavate mundën të ktheheshin në shtëpi, dhe besoj për shumë muaj i kanë qëndruar larg tregut të Pejës”.

Dibra e Madhe

Në një tjetër vizitë në Dibër, Komisarit Civil për Kosovën dhe Dibrën, Umilta shkruan për Romën këto fjalë: “Në të gjithë këtë pjesë të Dibrës që shkela pëllëmbë për pëllëmbë për disa javë, sllavët ortodoksë ishin maqedonë dhe si të tillë nuk kishte pretekste ndaj serbëve, që e kishin aneksuar në 1913, një reformë agrare siç kishin bërë në Kosovë. Maqedonasit dhe shqiptarët jetonin për shekuj në qytete, në fshatra dhe jo në një armoni të madhe, por jo me ndonjë armiqësi të ashpër, paçka se të dyja palët konsideronin veten si indigjen të vendeve në luftë me njëri tjetrin dhe lufta fetare dhe sociale kishte gjetur një modus-operandi mes njëri tjetrit, që shfaqej me një bashkëpunim të heshtur. Dyqanet e qytezës ishin të furnizuara dhe fshatrat ishin të punuara. Nuk ishte e vështirë në fshatra të gjeje shqiptarë, sllavë dhe shqiptarë që flisnin mes tyre. Ndërsa në administratën publike dhe komunale, funksionarët serbë të dërguar nga qeveria jugosllave ishin larguar ose kishin shkuar pas trupave, kësisoj zyrat ishin bosh dhe në rrëmujë”.

Sipas tij, maqedonasit nuk ishin sigurisht të kënaqur që komandoheshin nga shqiptarët, por nga frika që kishin nga trupat italiane çdo gjë kishte kaluar pa ndonjë zhvillim. Kërkesa e tij më e madhe për qeverinë e Tiranës dhe Romës ishte të gjendeshin njerëz që të njihnin gjuhën serbe, pasi të gjitha ligjet që ishin në fuqi ishin të shkruara serbisht dhe nuk mundej që me një lëvizje të hynin direkt legjislacionin shqiptar. Ai kthehet në Tiranë një program për ndarjen e kompetencave ushtarake nga ato civile dhe e dërgon në Romë. Nuk merr përgjigje.

Çamëria

Në një marrëveshje mes qeverisë së Romës dhe qeverisë së Tiranës u vendos që rajoni në jug të Shqipërisë, një pjesë e malit të Pindit dhe Janinës deri në Prevezë duhet të ishte e Shqipërisë, si pjesë e saj integruese me emrin Çamëri dhe të krijonim një Komisar të Lartë, në të cilin ishte emëruar diplomati shqiptar Xhemil Dino, me origjinë nga Preveza dhe vjehrri i kryeministrit shqiptar, Bej Verlacit. Diplomati italian Umilta shkruan në libër se shqiptarët ishin shumë të gëzuar nga kjo zgjidhje, por veçanërisht aneksimi i Kosovës dhe Dibrës rriste më shumë se një të tretën territorin e shtetit shqiptar dhe rriste territoret e pasura me minerale në miniera dhe tokën bujqësore për agrikulturë, si dhe dyfishonte popullatën.

Ndërsa “Për Çamërinë mendimet ishin pak jo të dakortësuar sepse, përveçse rajoni nuk ishte shumë e pasur, thuhej se popullata, që një kohë kishte qenë shqiptare dhe myslimane, tani ishte kryesisht greke dhe ortodokse, me pak arumunë, sidomos në zonën e Grevenës dhe të Pindit dhe kishin frikë për një ndikim të madhe të ortodoksisë në Mbretëri. Se cilat ishin arsyet që kishin përcaktuar që qeveria jonë të kishte një projekt të tillë, as unë, dhe as shumë shqiptarë dhe italianë, në Romë dhe Tiranë, nuk e morëm kurrë vesh. Por Çamëria do të shikohet më pas që gjërat morën një rrjedhë tjetër”. Ministria e Jashtme e Romës e ngarkoi Carlo Umiltan të bënte një xhiro inspektimi në rajon që do të duhej të quhej Çamëria dhe që më pas do të aneksohej Shqipërisë. Në raportin e tij, ai shkruan se, në Kastoria, Gravena e Metzovo nuk kishte shqiptarë dhe banorët vendas nuk donin të bashkoheheshin me Shqipërinë. Ndërsa në Janinë, sipas tij, “qyteti dukej komplet grek, por më një minoritet të dobët shqiptarësh myslimanë.

Në Janinë nuk ishte e nevojshme marrja shumë në pyetje; mjaftonte të shikoje njerëz për të kuptuar që asnjëri nuk do të adoptohej me aneksimin me Shqipërinë… Ideja për t’i aneksuar me Shqipërinë ishte absurd dhe gjithë ai popull do të rebelohej. Edhe këtu nuk kishte pse të ndalohesha kaq shumë. Të njëjtat informacione dhe të njëjtat perceptime pata në vizitat e mia në Artë dhe Prevezë, qytete që kishin pësuar bombardime të mëdha.

Në këto qytete, kishte edhe disa shqiptarë myslimanë, por edhe këta përveç grekëve të pyetur, nuk pata përgjigje ndryshe dhe se donin të qëndronin pjesë e Greqisë dhe refuzonin çdo ide të bashkimit me Shqipërinë.

Përkundrazi, disa shqiptarë me folën në Prevezë, atdhe i familjes Dino, bejlerë të mëdhenj në kohën e Turkut, dhe me shtuan se edhe ata myslimanë, nuk kishin asgjë kundër personale me Xhemil Dinon, që siç thashë ishte përcaktuar nga Roma si Komisar i Lartë për Çamërinë dhe që ata as që e njihnin fare. Edhe nëse Dino do të shkonte aty ku kishte shtëpinë këta shqiptarë nuk do ta prisnin mirë sepse nuk kishin kujtime të mira me familjen e tij”. Diplomati italian Carlo Umilta pas një muaji vizita në terren arrin në konkluzionin se, “nga situata e dhënë në vendet që vizitova, përgjigjet e dhëna nga kaq shumë njerëz që ishin pyetur dhe sugjerimet e ushtarakëve tanë tregonin se për Çamërinë nuk duhet të flisnin më sepse konvenonte të mos ndryshimin gjë as dislokimin e trupave tanë… Pavarësisht dhimbjeve të Xhemil Dinos dhe atyre që kishin interes në projektin e Çamërisë, qeveria jonë aprovojë plotësisht konkluzionet e mia dhe arriti të bindë qeverinë shqiptare të pamundësisë për ta aneksuar pse i binte në kontrast me opinionin e popullatës që ishin rezidentë dhe që do të ishin viktima pa ndonjë rëndësi të madhe”.

Dy vëzhgime për serbët dhe shqiptarët

Në fund të librit të tij, diplomati Carlo Umilta i lejon vetes të bëjë një gjykim dallues mes shqiptarëve dhe sllavëve. Ai shkruan se, “Serbia dhe Jugosllavia kishin lindur dhe ishin rritur me një nacionalizëm kafshëror, që nuk shikonte as historinë dhe as gjeografinë dhe kalon mbi çdo caku moral, drejtësie dhe kuptimit të të drejtave të tjetrit, vetëm për të arritur qëllimet e tyre imperialiste. Kjo sjellje e tyre e ka një origjinë, që përveç karakterit sllav, ka të bëjë me nënshtrimin shekullor të serbëve nga Turqia, që u rriti zemërimin patriotik dhe religjioz, që ishte me zanafillë tek imperializmi bizantin dhe ka të bëjë me nënshtrimin e atyre vendeve nga idetë dhe predikimi i Cirilit dhe Metodit. Këto sllavë, simpatikë kur janë të shkolluar, bëhet edhe të arsyeshëm dhe të pasjellshëm nga ideologjia e tyre; megalomania që nuk njeh kufij,dhe nga një pasion i verbër, madje i sinqertë. Ndër shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një pavarësi të plotë dhe të vërtetë. Që nga inkorporimi i Perandorisë Romake deri tek ajo osmane, nuk patën kurrë një autonomi, pasi u kthyen edhe myslimane dhe fanatikë, ndërsa një minorancë e vogël mbetën katolikë ose ortodokse. Në kohët e fundit Turqit konsideronin katër vilajete, të Shkodrës, Janinës, Shkupit dhe Manastirit, ku pjesa më e madhe e popullatës ishte shqiptare dhe myslimane, ndërsa minorancat ishin serbe, malaziasve, maqedone ortodoksë. Në zonën e Janinës shqiptarët e myslimanët ishin pothuajse zhdukur krejt; atë që mbetën morën fenë ortodokse dhe nuk njihen nga grekët as nga emrat”.

(Marrë nga Gazeta Shqip! Lavdrim Lita është gazetar, studiues dhe përkthyes)

Fjalët kyçe: serbet dhe italianet, Shqiptaret, Viti 1940
Sponsored by Revcontent