Në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, donacion i Emirateve të Bashkuara në një vlerë prej 22 milionë euro, i cili pritet të përfundojë në vitin 2018.
Gurthemelin për ndërtimin e këtij objekti e kanë vënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrja e Shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, Maitha Al Shamsi dhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Imet Rrahmani.
Presidentja Jahjaga tha me këtë rast se sot shënohet një kthesë për t’u garantuar fëmijëve një të ardhme të shëndoshë. Ajo shtoi se ky spital do të jetë spitali më modern jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, me aparaturën më moderne, të cilën do ta përdorin njerëz profesional.
“Me ndërtimin e këtij spitali në këtë vend synojmë që të gjitha shërbimet pediatrike t’i ofrojmë në një vend më me shumë profesionalizëm dhe dashuri”, tha Jahjaga.
Siç ka njoftuar edhe më herët KosovaLive, marrëveshja për ndërtimin e këtij spitali është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të presidentes Jahjaga në Abu Dhabi.
Në qershor të vitit të kaluar filloi jetësimi i kësaj marrëveshje, kur në Kosovë qëndroi një delegacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, i prirë nga Maitha Al Shamsi, ministre e Shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe dr. Mata Barakat, drejtoreshë e Autoritetit të Shëndetësisë në Abu Dhabi.
Para pak ditësh përfaqësues të një delegacioni të Emirateve të Bashkuara Arabe prezantuan para Ministrisë së Shëndetësisë dizajn planin e detajuar të Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, i cili do të jetë një qendër moderne, e cila do t’i integrojë në mënyrë funksionale mes vete shërbimet për kujdesin e nënës dhe fëmijës.
Sipas projektit, spitali do të ketë tri kate që do të ofrojnë shërbime të ndryshme diagnostike dhe të trajtimit, si dhe do të ketë një sipërfaqe prej 10 mijë metra katrorë, ndërkohë që ndërtimi pritet të fillojë sivjet.