Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar sërish në lidhje me kërcënimin me armë ndaj deputetëve demokratë, nga një punonjës i policisë i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtëm gjatë përplasjes te Kuvendi i Shqipërisë, pasi këta të fundit ndodheshin aty në shkelje të ligjit.
Në postimin e tij në Facebook, Bardhi ka publikuar video që tregon momentin skandaloz të kërcënimit me armë të deputetëve të PD nga polici i FNSH-së, duke theksuar se ‘propaganda dhe dezinformimi nuk e mbulojnë dot të vërtetën’.
Duke renditur një sërë mashtrimesh të narkopolicisë, si me rastin e vrasjes së të riut Klodian Rasha, apo mbjelljes së Shqipërisë me kanabis, Bardhi shkruan se ‘sot shteti personal i Edi Ramës degradoi në mashtrim, për shkak se doli zbuluar ashtu siç është -shtet arbitrar policor!’
Postimi i plotë:
Është e njëjta Polici që tha sot se polici i Forcave Speciale nuk kishte armë brenda Kuvendit, ajo që më parë na ka thënë:
Që i ndjeri Klodian Rasha ishte i armatosur prandaj e vrau Policia e Shtetit – GËNJESHTËR,
Që i ndjeri Egli Proga vdiq se ishte i dehur dhe u rrëzua – GËNJESHTËR,
Që në Shqipëri ka zero sipërfaqe të mbjella me kanabis – GËNJESHTËR, apo
Që në protestën e 7 Tetorit nuk kishte asnjë protestues të lënduar dhe që ndodhej në spital – GËNJESHTËR, e plot e plot të tjera.
Gënjeshtrat i sajojnë aq trashë, sa edhe vetë propaganda e Qeverisë që Shqipëria është vend në lulëzim e sipër, ndërkohë që jemi të parët në Europë për numrin e qytetarëve në varfëri ekstreme.
Propaganda dhe dezinformimi nuk e mbulojnë dot të VËRTETËN! Sot shteti personal i Edi Ramës degradoi në mashtrim, për shkak se doli zbuluar ashtu siç është -shtet arbitrar policor!
/SYRI.net