Vetëvendosje tenton të fshehë pse doli kundër rrëzimit të Speciales, sulmon LDK’në

E publikuar: 24/12/2017 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia e Albin Kurtit doli kundër rrëzimit të Gjykatës Speciale e cila do të gjykojë krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK’së. U rreshtuan në krah të LDK’së. Tash, zyrtarët e kësaj partie po e akuzojnë partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova se ishte vazhdimisht kundër UÇK’së.
Lëvizja Vetëvendosje më së shumti e kishte kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Kishin kundërshtuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Isa Mustafën se po e njollosin luftën e UÇK’së.

Por, kur erdhi nisma për rrëzimin e kësaj Gjykate, Vetëvendosje doli kundër. Iu bashka kundërshtimit të LDK’së. Madje, deputetë të VV’së, si Glauk Konjufca e Aida Dërguti shkuan në Grupin Parlamentar të LDK’së për t’u koordinuar dhe kundërshtuar nismën e PDK’së, AAK’së e NISMA’s për të rrëzuar Gjykatën Speciale.

Dy ditë më vonë, zyrtarë të Vetëvendosjes po deklarohen se janë për rrëzimin e Speciales derisa po lëshojnë akuza se Partia e Isa Mustafës ishte në vazhdimësi kundër UÇK’së.

“Qëndrimi i LDK nga ana tjetër është si zakonisht kundër UÇK….”, ka shkruar deputeti i VV’së, Xhelal Sveçla. “…edhe pse vetë këta e kanë mbajtur në pushtet PDK-në për shumë vite, dhe e kanë bërë Thaçin president”, ka shtuar ai.

Sveçla ka thënë se Vetëvendosje nuk është sikur LDK’ja por as si PDK’ja kur vjen në pyetje për Gjykatën Speciale.

“Vetëvendosja nuk është as LDK e as PDK. Unë mendoj se nuk duhet ta mbështesim Gjykatën Speciale, por as nuk duhet të bëhemi pjesë e lojërave të PDK-së”, ka shtuar ai.

Vetëvendosje e LDK kishin pasur mundësinë të krijonin një koalicion pas zgjedhjeve të fundit nacionale por dështuan pasi asnjëra nuk lëshonin pe për pozitën e Kryeministrit.

Ndërkohë, kishin bashkëpunuar në koalicionin me VLAN, kur ishin bërë bashkë për ta bërë Ramush HAradinajn Kryeministër. Por, që edhe atëherë kishin dështuar pasi LDK kishte bërë koalicion me PDK’në.