Vetëvendosje: Policia na ka bllokuar!

E publikuar: 01/09/2016 09:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja “Vetëvendosje” përmes një njoftimi për media ka treguar se gjatë mbrëmë janë bastisur e vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhe ekranin LED për protestën.  Sipas LVV-së, këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 pas mesnate dhe policia po i mban të bllokuara ende.

“Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër Vetëvendosjes. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist”, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë:

Policia e grupe anonime janë angazhuar jashtëligjshëm kundër VETËVENDOSJES!

Gjatë gjithë natës policia dhe grupacione të panjohura janë angazhuar në një fushatë pa precedent bastisjesh dhe shpifjesh, kundër VETËVENDOSJES!

Arsyeja e vetme për këto gjeste diktatoriale, është dëshira e Thaçit, Veselit e Mustafës për t’ia dhuruar 8200 hektarë Malit të Zi, kundër ligjit, kundër vullnetit qytetar e kundër dëshirës së deputetëve.

Gjatë natës janë bastisur e vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhe ekranin LED për protestën. Këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 pas mesnate dhe policia po i mban të bllokuara ende.

Po ashtu policia ka bllokuar edhe magazinat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin materialet dhe parrullat për protestën e sotme.

Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër Vetëvendosjes. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist.

Këto aksione prej regjimit shtypës policor kanë si autor direkt Thaçin, Veselin e Mustafën. Ata janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, janë gati të përdhosin demokracinë, të bëhen si Sadami, Asadi apo Gadafi, vetëm e vetëm që të realizojnë projektet e tyre rrënuese për vendin, siç është Demarkacioni e Zajednica. Këto projekte janë çmimi i qëndrimit të tyre në pushtet.

I bëjmë thirrje qytetarëve të mos lejojnë pushtetin e frikës të bëhet pushtet i terrorit. Masivisht autobusët po nisen nga çdo vend i Kosovës për të ardhur në protestën e sotme. Bashkangjitu dhe ti, për demokracinë, për atdheun tënd.