Vetëvendosje dikur: Mos votoni, mos i pasuroni politikanët

E publikuar: 01/06/2017 11:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dikur Lëvizja Vetëvendosje kërkonte që të bojkotoheshin zgjedhjet, kurse tash po kërkon pjesëmarrje masive.
Madje, para disa ditësh, eksponentë të saj flisnin edhe për prenotime aeroplanësh dhe autobusësh të veçantë për të sjellë mërgimtarë nga jashtë vetëm për të votuar më 11 qershor.

Por, vetëm disa vjet më parë, po kjo lëvizje me të njëjtin lidership promovonin krejt të kundërtën, duke u bërë thirrje qytetarëve për bojkotimin e zgjedhjeve.

Atëherë nuk shihnin zgjidhje te zgjedhjet, por te bojkoti, kurse tash po shohin, transmeton Gazeta Metro.Kudo nëpër mure, militantët e Vetëvendosjes kishin shkruar me sprej parulla “Mos Voto”, “Unë votoj, Ti voton, Ai/Ajo voton, Ne votojmë, Ju votoni, Ata përfitojnë”, “Flejë, mos voto”, ”Bojkoto zgjedhjet”, etj.

Stickersat e Vetëvendosjes me mbishkrimin “MOS VOTO”, deri vonë janë parë edhe nëpër semaforët e kryeqytetit dhe të komunave të tjera, konkretisht në dritën e kuqe që sinjalizon ndaljen.

Për ta arsyetuar fushatën e tyre të thirrjes për bojkot, Lëvizja Vetëvendosje kishte paraqitur disa arsye, duke thënë se vota nuk është zgjedhje, por pranim i zgjedhjes së tjetërkujt, se ishte pranim i krijimit të entitetit serb brenda Kosovës, pranim i ndarjes etnike të Kosovës, vazhdimit të pushtetit të strukturave paralele, legalizimit të ndërhyrjes politike të Serbisë në Kosovë, sistemit të ndarë arsimor, moslejimit të kthimit të shqiptarëve në veri, pasurimit të politikanëve, varfërimit të vazhdueshëm të qytetarëve, etj.

Shumë prej këtyre akuzave dhe kritikave, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon t’i bëj ende, kurse pretendentët kryesorë edhe në këto zgjedhje elektorale vazhdojnë të jenë dy subjektet politike që ishin edhe atëherë, PDK-ja dhe LDK-ja.
Ndryshe nga atëherë, tash Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë thirrje për pjesëmarrje dhe jo më për bojkot.