Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte mburrur me renditjen që kompania private “Henley & Partners” i kishte bërë Kosovës, duke e përfshirë në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar.
Në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, Kosova ishte pozicionuar në vendin e 26-të nga 225 shtete, duke lënë pas Francën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japoninë.
Mirëpo, vetëm një ditë më vonë, emri i Kosovës nuk figuron më në listë, pasi është hequr bashkë me një numër shtetesh të vogla dhe territore.
Ndërkohë që kryeministri Kurti e cilësoi renditjen si një dëshmi të përmirësimit të klimës investuese, opozita dhe përfaqësuesit e bizneseve nuk e kanë ndarë të njëjtin entuziazëm.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se realiteti ekonomik është larg nga ai që mund të sugjerojë një indeks i tillë.
Ai shtoi se mungesa e fuqisë punëtore, mospërputhja e aftësive me nevojat e tregut, mungesa e reformave në arsim dhe pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-të janë ndër faktorët që e bëjnë Kosovën më pak tërheqëse për investime.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, reagoi me ironi ndaj deklaratës së Kurtit.
“Në kohën në të cilën jetojmë, edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik,” ka shkruar ajo në Facebook.


















