Veseli: Për dy vjet do të legalizohen 90 për qind e objekteve, shemben ato që cenojnë hapësirat publike

E publikuar: 24/09/2019 20:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kadri Veseli, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka thënë se nëse ai fiton zgjedhjet e 6 tetorit dhe merr udhëheqjen e qeverisë, për dy vjet do të legalizohen rreth 350 mijë objekte në Kosovë, që aktualisht janë pa leje.

Sipas tij, kjo do të bëhet me çmim prej një euro për metër katrorë.

“Për dy vjet do të bëhet. Shumica e abuzimeve ndodhin në pushtetet komunale. Me ligjin që kemi, sipas analizave të ekspertëve, për legalizimeve sipas ritmit të deritashëm duhen 75 vjet. Pse po them ne për dy vjet? Sepse 90 për qind janë shtëpitë tona ku ka raste që kanë jetuar 60 vjet. Do të zgjidhet me legalizimin për një euro për metër katrorë. 90 për qind s’kanë defekte të dokumenteve. Do të ndodhë për dy vjet. 90 për qind do të legalizohen. Të gjitha do të kenë fletët poseduese”, ka thënë ai.

Veseli ka shtuar se “do të shemben objektet e të fortëve që kanë cenuar hapësirat publike”. 20:32

Veseli: Në PDK s’ka të fortë e të dobët

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Sami Lushtaku nuk bën të konsiderohet njeri i fortë vetëm pse ka qenë në UÇK.

“Sami Lushtaku ka qenë ndër kryetarët më të suksesshëm të komunës. Nuk do të thotë pse ka qenë luftëtar i UÇK-së të jetë edhe i fortë. Mos paragjykoni”, tha Veseli në Rubikon të KTV-së.

Ai foli edhe për futjen e mbesës së Hashim Thaçit, Evgjeni Thaçit, në listën për deputetë.

“Evgjeni Thaçin e kam futur unë në listë. Ajo është vajza që na ka ruajt gjithë natën neve për të mos na zënë policia [serbe]. Ka kryer master jashtë Kosovës. Është e aftë”, ka thënë Veseli në Rubion të KTV-së.

Ai tha se në listë ka futur njerëz që janë të pakorruptuar dhe atdhetarë.

“Nuk ka të fortë e të dobët në PDK. Jam duke e vënë një standard, standard që partitë tjera në vend janë shumë larg tij. 70 për qind të strukturave janë të rinj që janë përkrahur nga strukturat e vjetra”, është shprehur ai.

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli, tha se ka pasur aktakuza të ngritura ndaj njerëzve të partisë së tij, por kjo, sipas tij, tregon që s’ka pasur presion nga ta ndaj sistemit të drejtësisë.

“PDK nga viti 2007 është në pushtet. Janë ngritur aktakuza ndaj njerëzve të PDK-së sepse s’kemi ndikuar në drejtësi. Gjyqësia duhet të jetë e pavarur. Ne nuk do të ndërhyjmë. Nuk ka më shumë se të jesh në pushtet për 12 vjet e ta shash sa herë të duash e të mos kesh pasoja. Ne s’do të jemi hakmarrës. Nganjëherë na keni rënduar me fjalët që fliten nëpër studiot tuaja. Ata tjerët edhe po rrihen mes vete. A ka pasur ndonjë kërcënim nga ndonjë zyrtar i PDK-së në këto 12 vite? S’ka pasur sepse unë s’e toleroj. Liria e shprehjes është e garantuar”, thekson Veseli. 20:24

Veseli: PDK ka listë tejet të pastër, në VV ka njerëz që kanë plagosur duke bërë gara për qejf

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij në listën për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit nuk ka asnjë njeri me aktakuzë për korrupsion, nepotizëm e abuzim të detyrës zyrtare.

Sipas tij, nuk është lejuar në atë listë të ketë as njerëz që kanë aktakuzë për armëmbajtje pa leje.

Në këtë pikë, ka thënë se partitë tjera kanë njerëz me aktakuza, teksa ka akuzuar LDK-në se ka shumë zyrtarë të lartë të partisë me aktakuza e VV-në se një zyrtar i saj ka kryer plagosje teksa ka bërë gara për qejf me armë.

“Unë kam goditur njerëzit nga partia ime. Në mënyrë publike. Cili është një kryetar tjetër pos meje që i ka larguar nga institucionet. Sa i ke në LDK, në VV. Janë në pozita të larta institucionale. Gjysmën e kryetarëve të komunave. Më thoni një njeri si unë që s’ka lënë nëpër asnjë pozitë njerëz me aktakuzë. Te partitë tjera ka madje që veç për qejf duke bërë gara ka plagosur njeri. Ka nëpër parti. Është nënkryetar në Vushtrri, (Besim) Muzaqi. Është i VV-së”, ka thënë ai duke shtuar se “Lista jonë është ndër më të pastrat”.

Ai ka thënë se nëse merr qeverisjen synon të krijojë Komision Parlamentar kundër korrupsionit. “Ai do të udhëhiqet nga opozita dhe kurdo që ka shqetësime, s’kemi nevojë për popullizëm por do të shkojmë në mënyrë institucionale. Do të ketë qasje nëpër ministri e institucione të tjera”, ka thënë ai. 20:15

Veseli: Haradinaj s’e përkrahu vetingun në polici e në sistem të drejtësisë

Kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, Kadri Veseli, ka thënë se kryeministri i koalicionit të kaluar qeverisës, Ramush Haradinaj, nuk e ka përkrahur vetingun në sistemin e drejtësisë dhe në polici.

“Vetingu në drejtësi e polici. Kryeministri Haradinaj ka qenë kundër vetingut në sistemin e drejtësisë dhe policisë”, ka thënë Veseli në Rubikon të KTV-së.

Madje ai tha se as opozita s’e ka përkrahur.

“Kemi gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë policorë që s’ia dinë skajin pasurisë. Do të hetohen për të gjetur se kah i kanë marrë”, potencoi Veseli. 20:12

Veseli: Pakti kundër korrupsionit e nepotizmit nuk bie ndesh me sistemin e drejtësisë

Kryetari i PDK-së, kandidat për kryeministër, ka thënë se pakti kundër korrupsionit e nepotizmit nuk bie ndesh me sistemin aktual të drejtësisë, por është vetëm komplementar.

“Pakti nuk do të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Kroacisë i ka hapur perspektivën evropiane pikërisht ky mekanizëm. Për gjashtë muaj do të kemi rezultate konkrete. Do të jetë vetëm task-forcë, do të jetë komplementare e sistemit të drejtësisë dhe nuk bie ndesh. Kushdo që është i korruptuar, me kryeministra, me kryetarë kuvendi, me presidentë, me deputetë, do të shkojë në burg dhe do t’u konfiskohet pasuria”, theksoi Veseli në Rubikon të KTV-së. 20:07

Veseli thotë se korrupsioni prek të gjitha partitë

Kadri Veseli, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka thënë se korrupsioni në Kosovë prek të gjitha partitë.

Duke folur për “paktin kundër korrupsionit”, në Rubikon të KTV-së Veseli ka thënë se problemi më i madh në Kosovë është punësimi dhe humbja e shpresës te të rinjtë, e që vjen, sipas tij, nga korrupsioni e nepotizmi.

“Unë ka një vit që kam filluar reformat me PDK-në. Janë konkrete, jo fjalë. U kam shkuar deri në fund. I kam realizuar ato. S’kam lënë asnjë person me aktakuzë të ketë rol në udhëheqje, nga ministra, zëvendësministra. Kam menduar se do të kem përkrahje, s’ka pas veprime konkrete. Ka pasur skepticizëm. S’do të duhej të befasoheshin asnjë sepse fenomeni i korrupsionit po paraqitet si realitet qe dy dekada dhe po i dëmton shpresat e rinisë. Fenomen që prek të gjitha partitë politike. Shihni momentet e rënda me LDK-në, me VV-në, në qeverisjet lokale në Prishtinë e Prizren. Marrja e tenderëve, në mënyrë të kurdisur, punësimet nepotike”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se luftimi i pakompromis i korrupsionit do të hapte rrugën për integrim euroatlantik të Kosovës.