Veseli: Kosova dhe Kroacia do ta thellojnë partneritetin në të gjitha fushat

E publikuar: 28/05/2018 10:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Grupin e Miqësisë Kosovë – Kroaci të Parlamentit kroat, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë.

Në takim i bisedua për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë, për marrëdhëniet midis dy vendeve mike dhe parlamenteve respektive.

Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti kroat kultivojnë midis tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe popujve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit në shumë segmente, thuhet në komunikaten për media.

Kreu i Kuvendit e konsideroi të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të procesit të integrimit evropian të Kroacisë, të cilat, sipas tij, mund t’i shërbejnë Kosovës në forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare dhe lehtësimit të rrugëtimit euro-integrues.

Veseli theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Kosovës dhe Kroacisë në fushën e investimeve ekonomike.

Deputetët e Saborit, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën, theksuan se vizita e tyre në Kosovë është pikërisht në funksion të forcimit të miqësisë e të bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e shtetit kroat për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha drejtimet./infosot/