Veseli: Edmond Hoxha do të jetë i paharrueshëm

E publikuar: 10/10/2017 13:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtatorja që po zbulohet sot, le të shërbejë si një dëshmi e gjallë për brezat e ardhshme se sakrificat janë bërë për të shijuar lirinë që gëzojmë sot.

Kështu u tha në një akademi përkujtimore me rastin e 42-vjetorit të lindjes së dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, ku vepra dhe jeta e tij u nderua me ngritjen e shtatores në qendër të Junikut.

Për të përkujtuar heroin Edmond Hoxha u organizua edhe një akademi përkujtimore, ku morën pjesë personalitete të njohura të vendit, si kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti Daut Haradinaj, drejtues të OVL të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve të Junikut.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha sot është një ditë e veçantë për të gjithë, pasi po vendoset shtatorja e re në qendër të Junikut.

“Jam shumë i lumtur që premtimin për ridizajnimin e shtatores së Edit u realizua, por zotohem se së shpejti do të kemi edhe shtatoren e heroit Hakif Zejnullahut dhe ju siguroj që më 28 nëntor do ta përfundojmë edhe memorialin e dëshmorëve të Junikut. Rënia e tij heroike e ka plagosur ushtrinë tonë dhe pastaj me shumë guxim e kemi vazhduar luftën. Kjo shtatore nënkupton se nderojmë veprën e Edmondin dhe traditën e Junikut. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë sfida, si zhvillimin ekonomik dhe prioritetet jona është që Kosovën tonë ta kemi të zhvilluar ekonomikisht dhe të luftojmë për mirëqenien e të rinjve tanë. Edmond Hoxha do të jetë i paharrueshëm, vepra dhe jeta e tij, dhe e të gjithë luftëtarëve tanë”, tha ai, raporton KP.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj tha se shtatorja e Edmond Hoxhës i bën nder kuvendit dhe historisë së Junikut dhe historisë sonë kombëtare, dhe se kjo shtatore është udhëzimi ynë se kah do të shkojë Kosova.

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, tha se kjo ngjarje përkujton vlerat tona të mirëfillta kombëtare dhe njerëzore.

“Sot kur po e kujtojmë Edmond Hoxhën, po e kujtojmë sakrificën sublime të të gjithë dëshmorëve të Junikut, të kullave dhe odave të qëndrueshme të Junikut. Edmondi rrjedh nga një familje kolosësh luftëtarësh. Ndaj si junikas duhet të jemi shumë mirënjohës ndaj këtyre veprave. Marr zotimin se bashkë me përkrahjen e qeverisë do të ngritim memorialin për të gjithë dëshmorët e rënë për Junikun”, tha ai.

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për jetën dhe veprën e dëshmorit Edmond Hoxha, i cili shumë herët ishte kyçur në radhët e UÇK-së dhe veprimtaria e tij kombëtare nuk u ndal për asnjëherë deri në rënien e tij në Pestovë të Vushtrrisë bashkë me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun.

Në emër të familjes, një fjalë rasti mbajti edhe nipi i Edmond Hoxhës, Frymëzim Isufaj, i cili tha se sot kemi momente pikëllimi dhe momente krenarie, pasi po nderohet jeta dhe vepra e heroit Edmond Hoxha.

“Shtatorja që po zbulohet sot, le të shërbejë si një dëshmi e gjallë për brezat e ardhshme se sakrificat janë bërë për të shijuar lirinë që gëzojmë sot”, tha ai.