Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim njoftues shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, të cilën e uroi për detyrën e re, duke i ofruar, njëkohësit, bashkëpunimin e plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe hapat që ka ndërmarrë Kosova në rrugëtimin e saj të integrimit, të formalizuara edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Veseli shfaqi besimin e tij se shumë shpejt do të finalizohet edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kreu i legjislativit tha se Kosova ka vetëm një të ardhme dhe ajo është e ardhmja evropiane e saj.
Kosova, shtoi Veseli, i takon Evropës dhe shumë shpejt do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ai shfaqi zotimin se Kosova do të punojë maksimalisht në rrugëtimin saj të integrimit evropian.
“Jemi të vetëdijshëm për sfidat të cilat i kemi. Do t’i kryejmë të gjitha obligimet të cilat i takojnë Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Prioritet yni është forcimi i ekonomisë dhe shtetit ligjor, si dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Do të vazhdojmë procesin e dialogut të brendshëm dhe njëkohësisht me të gjithë fqinjët, për arsye se është në interesin e shtetit tonë dhe partnerëve tanë, SHBA-së dhe BE-së”, theksoi kryetari Veseli.
Apostolova, nga ana e saj, falënderoi për mundësinë që të takojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, duke e siguruar atë për përkrahjen e Zyrës që ajo drejton, në detyrën e tij në krye të Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se në kulturën dhe sistemin e BE-së, Parlamenti luan një rol shumë të rëndësishëm. Në këtë drejtim, ajo përmendi faktin që pas nënshkrimit të MSA-së, ishte Parlamenti Evropian institucioni i parë që zhvilloi takim me Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se do të punohet bashkërisht në implementimin e MSA-së.
“Jemi këtu që t’u përkrahim me programe të ndryshme. Jemi investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh i Kosovës, dhe jemi mbështetësit tuaj politikë. Do të punojmë gjithashtu, në liberalizimin e vizave. Pres me padurim një vizitë të mundshme të kryetarit të Kuvendit në Bruksel, për të diskutuar më tej këtë çështje”, theksoi Apostolova