Vendosen rregulla më precize për transaksionet ekonomike

E publikuar: 14/09/2016 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projektligji për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Debatin e udhëhoqi deputeti Blerim Grainca, anëtar i Komisionit dhe kryesues i grupit punues për amendamentimin e këtij projektligji.

Duke folur për qëllimin e takimit, Grainca vuri në dukje angazhimet e Komisionit për nxjerrjen e një ligji sa më adekuat për rregullimin e transaksioneve ekonomike, ndërkaq njoftoi për punën që është duke bërë grupi punues lidhur me amendamentimin e këtij projektligji.

Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), foli Rexhep Bllaca, drejtor i Departamentit Ligjor në këtë ministri.

Ai tha se MTI-ja, nëpërmjet këtij Projektligj synon të krijojë bazë ligjore për përcaktimin e rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave në rastet e furnizimit me mallra dhe shërbime kur palët kontraktuese ushtrojnë veprimtari të ndërsjellë biznesore.

Ai po ashtu i njoftoi të pranishmit, se projektligji i propozuar nga MTI-ja, është në harmoni me të gjitha direktivat dhe aktet ligjore të BE-së.

Në emër të Shoqatës së Bankave të Kosovës, foli Ilir Gaxha.

Duke paraqitur opinionin e kësaj shoqate, ai shprehu shqetësimin se Projektligji në fushëveprimtarinë e tij nuk ka paraparë, përkatësisht ka përjashtuar kamatëvonesën e cila aplikohet në nenin 2 për transaksionet ndërmjet personave fizikë të institucioneve financiare.

Ai po ashtu vlerësoi se Projektligji përmban çështje, të cilat kanë qenë të rregulluara me Ligjin e marrëdhënieve dhe detyrimeve, ndërkaq, u shpreh se, pas miratimit të ligjit, BQK-së i mbetet të nxjerrë rregullore të veçantë për aplikimin e masave që do të përcaktojë ai.

Nga komuniteti i biznesit foli përfaqësuesi i kompanisë “Ujë Rugove”, Besart Shatri. Ai kërkoi që ligji të parasheh një mekanizëm, i cili do të obligonte palët ndër kontraktuese biznesore, që detyrimet e ndërsjella t’i përmbushin sipas parashikimeve ligjore.

Në fund të takimit, deputeti Grainca, kërkoi nga të pranishmit që vërejtjet dhe rekomandimet e tyre t’i dërgojnë me shkrim në Komision, ndërkaq, u shpreh i bindur se nëpërmjet këtij projektligji do të mbrohen me sukses ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.