Në vend se të ishte institucion shembull për respektimin e ligjit dhe të drejtave të punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës është përfshirë në shkelje serioze ligjore, për pasojë të të cilave është anuluar një konkurs publik për pranim në shërbimin civil.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vendosur të anulojë në tërësi procedurën e rekrutimit për pozitën “Zyrtar i Lartë për Standardizimin e Gjobave”, pasi ka konstatuar se konkursi është shpallur dhe zhvilluar nga persona pa kompetencë ligjore, raporton Infosot.
Vendimi është marrë më 23 dhjetor 2025, pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga kandidati A.U., i cili kishte kundërshtuar refuzimin e aplikacionit të tij në konkursin publik me numër reference RN00017487.
Sipas arsyetimit të Këshillit, autorizimi për shpalljen e konkursit dhe themelimin e Komisionit të Pranimit është dhënë nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, emërimi i të cilit ishte shpallur më herët i paligjshëm nga vetë KPMShCK.
Këshilli ka vlerësuar se një veprim i tillë bie ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, duke e bërë të gjithë procesin e rekrutimit juridikisht të pavlefshëm.
“Procedura e pranimit është zhvilluar në mungesë të autorizimit ligjor dhe si e tillë cenon ligjshmërinë e procesit në tërësi”, thuhet në vendimin e Këshillit.
Për këtë arsye, KPMShCK ka aprovuar ankesën si të bazuar dhe ka obliguar Njësinë e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës që, brenda 15 ditësh nga pranimi i vendimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative për zbatimin e tij.
Po ashtu, Zyrtari Kryesor Administrativ i Inspektoratit është obliguar të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit, ndërsa Këshilli duhet të njoftohet me shkrim për çdo veprim të ndërmarrë në këtë drejtim.
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe, edhe pse pala e pakënaqur ka të drejtë të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kjo nuk e pezullon zbatimin e vendimit.

















