Ushtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ushtrojnë bashkë, synim i FSK-së integrimi në NATO

E publikuar: 22/11/2024 14:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së mori pjesë në ushtrimin e përbashkët me Shërbimin Mjekësor të FARSH-it ku kanë realizuar stërvitjen e përbashkët për ROL1.

Sipas njoftimit të FSK-së, qëllimi i këtij aktiviteti ishte avancimi i ndërveprueshmërisë profesionale mjekësore ndërmjet të dy forcave, ku synim i përbashkët është integrimi në strukturat e NATO-s.

“Ky është një hap shtesë në përafrimin dhe standardizimin  e procedurave për këtë funksion të rëndësishëm të mbështetjes luftarake. Gjithashtu ky aktivitet kishte një rendësi te madhe edhe për përgatitjen e dy njësive për procesin MEDEVAL të NATO-s”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

“Forca e Sigurisë së Kosovës falënderon Forcat  Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe ofrimin e kapaciteteve të saj në zhvillim të aktiviteteve bilaterale. FSK dhe FARSH vazhdimisht zhvillojnë aktivitete bilaterale në përmbushje të objektivave përkatëse duke kontribuar në paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë”.