UNDP dhe MPMS Lansuan Programin e Vetë-Punësimit

E publikuar: 21/04/2015 17:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale lansuan sot programin e vetë-punësimit i cili do të implementohet me mbështetjen e projektit të UNDP-së Programet Aktive të Tregut të Punës 2, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës, UNDP dhe qeveria e Kosovës.

Me këtë rast, zëvëndës përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së znj. Alessandra Roccasalvo u shpreh pozitivisht ndaj bashkëpunimit afatgjatë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe theksoi rëndësinë e projekteve të tilla për të zbutur nivelin e papunësisë në Kosovë.

Znj. Rita Hajzeraj, zëvëndës Ministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale theksoi: “Përgëzoj UNDP-në për punën e shkëlqyer në drejtim të ngritjes së kapaciteteve institucionale, përgatitjes së politikave strategjike si dhe të programeve siç është edhe ky i vetë-punësimit i cili nëpërmjet ngritjes së shkathtësive të forcës së punës ka për qëllim që të trajtoj problemin e papunësisë në Kosovë”.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Finlandës Anne Meskanen lidhur me mbështetjen e vendit të vet për këtë program tha: “Jemi të lumtur që qeveria ka përcaktuar krijimin e vendeve të punës si një ndër prioritetet kryesore të politikave zhvillimore. ALMP 2 është vazhdimësi e praktikave më të mira për punësimin e të rinjëve dhe i një programi shumë të sukseshëm që ka rezultuar në një punësim afat gjatë të gjysmës së përfituesve. Është me rëndësi që me skemën e re vëmendje e posaçme i kushtohet grupeve më të ndjeshme sic janë të rinjtë, gratë, minoritetet, të papunët afatgjatë. Finlanda fuqishëm mbështet edhe krijimin e Fondit të Punësimit pikërisht për të mbështetur këto grupe që e kanë më të vështirë të integrohen në tregun e punës”.

Duke filluar nga dita e nesërme, programi me takime informuese do të prezentohet në komuna. Radhitjen mund ta gjeni në listën e bashkangjitur.