“Turizmi është rritur për 25 për qind në krahasim me vitin e kaluar

E publikuar: 10/08/2022 20:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, deklaroi se turizmi ka shënuar rritje për 25 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar.
Hoti ka thënë se institucionet duhet ende të punojnë që të promovojnë Kosovën, veçse të gjitha festivalet ndërkombëtare të organizuara ditëve të fundit kanë kontribuar shumë në promovimin e Kosovës.

“Unioni i Turizmit të Kosovës ka punuar shumë gjatë këtyre dy vjetëve të fundit edhe pse pandemia ka qenë një faktor që e ka dëmtuar sektorin e turizmit, por edhe kriza ekonomike. Ne jemi fokusuar te pjesa e promovimit, pasi Kosova ka nevojë për promovim”, u shpreh ai në Klan Kosova.

“Unioni i Turizmit të Kosovës për këta dy muaj i ka realizuar pesë projekte promovuese ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë efektet e veta. Por, kemi punuar që Kosovën ta fusim edhe në pakot ballkanike që edhe në turnetë ballkanike të vizitohet Kosova”.

“Kemi rritje të numrit të turistëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të hulumtimeve dhe analizave tona që kemi bërë, ka dalë që kemi mbi 25 për qind rritje të turizmit, krahasuar me vitin e kaluar”.

Hoti, mes tjerash, bëri të ditur se Kosova mund të vizitohet gjatë gjithë vitit nga turistët, teksa tha se grupet franceze, austriake, italiane janë ato që po e vizitojnë më së shumti Kosovën.