As që i kishte shkuar në mendje se pas dhjetë vjetësh dikush do ta djegë flamurin e Republikës së Kosovës apo do të protestohet kundër vendosjes së tij në hyrje të Prishtinës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Muhamer Ibrahimi – “Trimi”, disenjatori i flamurit të Republikës së Kosovës, thotë për gazetën “Zëri” se është për të ardhur keq se si edhe pas 10 vjetëve ka debat nëse duhet respektuar flamuri shtetëror apo jo.
Sipas tij, respektimi i flamurit shtetëror nuk është mohim i patriotizmit apo mohim i simboleve kombëtare.
“Është dëshpërues fakti që në emër të patriotizmit individë e institucione lokale nuk i respektojnë simbolet e shtetit”, thotë Ibrahimi.
Muhamer Ibrahimi – “Trimi”, tregon për momentin kur flamuri që ai do ta dizajnonte mori formën e duhur.
“Që prej pasluftës, kur Kosova përgatitej të bëhej shtet i pavarur, dihej se nuk mund të përfaqësohej me të njëjtin flamur sikurse Shqipëria, kështu që vendi duhej t’i kishte simbolet dhe flamurin me të cilat duhej të paraqitej”.
E gjitha u bë e qartë për Ibrahimin pas shpalljes së konkursit në qershor të vitit 2007 nga Ekipi i Unitetit.