Tri kryeneçësitë e Ibrahim Rugovës

E publikuar: 23/03/2016 22:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për Presidentin Rugova është folur dhe shkruar shumë, madje vlerësimi për figurën dhe filozofinë rugoviane, sa vjen e merr dimensione meritore. Në fjalën time, do të shpalosë rininë e Tij, copëza biografike, që dëshmojnë formimin e personalitetit të Ibrahim Rugovës, hyrjen në politikë dhe rolin unik në bërjen e Kosovës shtet.
Familja Rugova, pas shumë lufëtrash e përgjakjesh me cubat e Malit të Zi, braktisi fshatin bregor Malaj të Rugovës, për t´u vendosur, fillimisht në Gllaviçicë të Pejës, me ndihmën e gjyshit të akademik Mark Krasniqit, prej andej në Bajicë të Istogut dhe më 1910, me ndihmën e Haxhi Zekës, janë ngulitur në fshatin Cerrcë të Istogut. Rugova thotë se “unë vi nga një familje e madhe dhe mund të them se familja jonë ka qenë një “shtet i vogël”, ku janë ruajtur dhe kultivuar traditat tona të lashta: puna, besnikëria, mbrojtja e atdheut”.
Më 2 dhjetor 1944 çiftit Ukë dhe Sofë Rugova, do t`ju lindte fëmija i parë dhe i fundit, Ibrahimi. Ndërkohë, Rrustë dhe Ukë Rugova arrestohen, burgosën në “Kullën e Popit” në Istog dhe ekzekutohen, madje pa gjyq fare dhe varret e tyre as sot nuk dihen.
Nëna -nuse Sofë, e një viti martesë, vendosi të qendrojë në Familjen Rugova, si e vejë e përjetshme, për ta rritur djalin bonjak, jetim – Ibrahimin, por duke e ndihmuar edhe kunatën Shahë, për t`i rritur fëmijtë e shumtë. Këtë ma ka thënë dada Shahë, nëna e Naser Rugovës.
Edhepse fëmija arriti moshën për ta filluar shkollën, Gjyshja nuk bindej: “Shkjau i vret burrat me shkollë”,- arsyetonte ajo. Dhe, nisej nga Uka, i cili ishte më i shkolluar, për kohën, në atë mjedis. U deshën dy vjet pritjeje, deri sa nipi tjetër, Rrustemi, të bënte 7 vjet, për ta filluar klasën e parë fillore Ibrahimi, tashmë, 9 vjeçar.
Përgjatë shkollës 8-vjeçare, nxënësi Ibrahim ra në sy për dashurinë që kishte për librin, për hartimet e bukra që bënte dhe poezitë që thurte. Mësuesi Izet Jakupi ishte korrespodent i gazetës “Rilindja”, për komunën e Istogut dhe hartimet e Ibrahimit ia dërgonte Radio-Prishtinës, emisioni për fëmijë, nga ku edhe lexoheshin. Një poezi e Ibrahimit u botua në njërën nga edicionet e “Abetares”. Ishte rast i parë ky botim, sepse në faqet e Abetares zinin vend vetëm poezitë, më saktë, vjershat e poetëve të afirmuar.
Në mbarim të shkollës 8-vjeçare, Ndërmarrja Botuese “Rilindja” i akordoi bursë nxënësit shembullor Ibrahim Rugova, për ta vazhduar shkollën normale në Prishtinë, duke e llogaritur kuadër të vetin në të ardhmen. Por, një relacion biografik, i bërë nga i pari i partisë, për Këshillin Krahinor të Kosovës, se “Rilindja” shkollon armiq të rinj”, brenda javës së parë, e kthen nxënësin Ibrahim Rugova në Gjimnazin “Vëllezërit Ribar” në Istog.
Ibrahim Rugovën e njoha në vitin e parë të Shkollës Normale, siç njihej Gjimnazi i Istogut. Fjalë-matur dhe gjithnjë buzagaz, si e bija Teutë sot. Në rrugëtimin Cerrcë-Istog, Ai ishte në shoqëri me shkollarët e familjes: Rrustemin, Kumrijen, Sanijen, Dritën, Ismailin dhe fëmijtë e tjerë rugovas. Me ata ishte edhe Ibish Hasani nga Belica e Rakoshit, vëllai i xhaxheshës së tij, përndryshe, daja i Naser Rugovës, i cili banonte në atë familje. Në të shumtën e rasteve, këtij grupi i bashkoheshim edhe ne, shokët e klasës.
Në fillim të vitit të dytë Gjimnazi organizoi, për 40 nxënës dhe 4 mësues, një eskursion, shetitje nëpër Jugosllavi. Pagesa e kombinuar, nxënësi plus komuna. Si nxënës të provincës, u rregulluam, disi, me veshmbathje. Familja Rugova kishte një tufë kalamajsh, “dinari ishte sa rrota e kerrit”. Andaj, Ibrahimi huazoi kostumin e mësuesit të letërsisë Izet Jakupi. Por, Ibrahimi nuk i pranoi këpucët dhe mbathi opinga të “Batës”, llastiçe të buta me një rryp lidhës sipër, si mbathje masive e fshatarësisë të Kosovës. Nga opingat e Ibrahimit në Beograd na njohen “sa Kosovo” (nga Kosova), ndërsa në Lubjanë si “Juzhnja Serbija (Serbia e Jugut).
Në Kosovën e asaj kohe, në 8-vjeçare mësonim gjuhën frenge, ndërsa në gjimnaz atë ruse. Një absurditet ballkanik, për të mos i mësuar kurrë asnjërën. Por, Ibrahimi nuk priti të mësonte ato çfarë i servirej nga programi mësimor. Ai kishte lindur në dhomën e gjumit të çiftit Ukë dhe Sofë Rugova, ku ishte edhe një mini-bibliotekë, prej disa dhjetra librash, kryesisht, në gjuhë gjermane dhe italiane, ngaqë babai, Uka, lexonte në këto dy gjuhë. Meqë para për të blerë libra nuk kishte, Ibrahimi ruante revistat si: “Pionieri”, “Zëri i rinisë” dhe më vonë edhe “Jeta e re”. Përgjatë Shkollës së Mesme, ai lexonte literaturë në frengjisht dhe rusisht.
Për purizëm, për të folmen e pastër shqipe, mund të krahasohet me Eqrem Çabejn. Edhe gjatë të folmes të zakonshme, Ibrahimi na ndërhynte qetas, për të zëvendësuar fjalën e huaj me atë shqipe. Pikërisht, fjalori i tij i veçantë, më një rast, në vitin e 3-të të Shkollës Normale, do të na përballte me arsimtarin e gjeografisë, sepse ai fliste turqishten e Pejës në familje dhe nuk arrinte ta kuptonte shqipen letrare të Ibrahimit.
Gjimnazi i Pejës ka qenë më numeriku në tërë Kosovën. 14 paralele ishin në vitin e parë dhe diç më pak në vitet tjera. Dalloheshin Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla, i pari për gjuhët e huaja dhe letërsi, ndërsa i dyti në art, muzikë, poezi. Ata ishin pjesë e klubit letrar të shkollës. Kishin edhe një shok të përbashkët, Daut Berishën, djali i një burgaxhiut politik në ishullin e Goli Otokut. Që të tre vinin nga familje të damkosura politikisht dhe ishin nën përgjimin e gjithmoshëm.
Përgjatë studimeve dy vjeçare specializuese në Paris, Ibrahim Rugova ka ndarë dhomën me Daut Berishën, sot pikor i njohur ndërkombëtar dhe njëri nga 12 intelektualët e shquar, që përfaqësojnë Francën në Organizatën e Intelektualëve Botërorë dhe se çdo president i Francës e konsulton, të paktën, dy herë në vit.
Ciklin e parë me poezi, Ibrahimi e botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Titulli “Sa rëndë qenka me derdhë varg e lot”, do të hasej në shumë letra të dashurisë të rinisë së atëhershme. Këtë titull e përdora edhe unë në një shkrim, të bërë në emër të shokëve të gjeneratës tonë, botuar vetëm 10 ditë para shuarjes fizike të Presidentit Rugova.
Ibrahim Rugova ishte trim i mençur. Në vitin 1964, brenda javës qenë arrestuar 640 vetë, por që do të seleksionoheshin, duke mbetur për hetim të mëtejmë vetëm disa dhjetra. Me disa shokë që bisedonim, në mirëbesim dhe që mendonin se jam më afër Ibrahimit, më sugjëruan ta konsultoja atë, duke mos përmendur emra. Nisur nga biografia familjare, Ai ishte i përcjellur në çdo hap. Ishte i pjekur për moshën, por edhe besnik i madh. Dhe, ai më tha se “nuk është koha, kush mbeti pa u zbuluar, ja, të shkojmë në burg, çfarë zgjidhëm?”
Vetëm tre vjet më vonë, tani Ibrahim Rugova student, i qasëm, më i shpenguar, duke e pyetur – a ka ardhur koha e pritur? “Po, ka ardhur koha të dalim nga çubat”,- tha Ai, pa atë ndrojtjen e hershme. Unë i fola për një projekt-ide tonën. Ibrahimi aprovoi nismën publike për lirimin e Adem Demaçit me shokë, pafajësinë e tyre dhe ndëshkimin e atyre që i kishin dënuar. Ai e donte Demaçin shumë dhe emri i tij e përlotte Ibrahimin. Ai parashikonte edhe goditjen tonë, “por kjo goditje do të jetë më e kontrolluar, sepse Plenumi i Brioneve ka sjellur disa ndryshime, por edhe retushime ose edhe mashtrime”, – tha Ibrahimi.
Ne shfrytëzuam një mbledhje të hapur të Lidhjes Komuniste, në Bashkësinë lokale të Vrellës, me të drejtë fjale, pa qenë anëtar, duke shpalosur, njëherësh, kërkesat tona: “deformimet” të cilësohen krime shtetërore të OZNA-së dhe të UDB-së; lirimin e Demaçit me shokë; Kosovës t`i jipet statusi i Republikës, pra, barazi me republikat tjera; të lejohet përdorimi i Flamurit Kombëtar; të hapet Universiteti i Prishtinës dhe të drejta të tjera që gëzojnë popujt dhe kombet në Jugosllavi.
Reagimi i kryetarit të partisë të komunës, ishte i ashpër, madje, i inatosur nga heshtja e 104 komunistëve në sallë, tha se “ky njeri që flet, madje në mbledhjen e partisë, kundër rendit kushtetues, duhet t`i këtë edhe nja 50 vetë me vete në këtë sallë!” Mbledhja u ndërpre. Policia arriti nga Istogu, por ne kishim marrë masat për bllokim. Mjeku ortoped Syë Dreshaj, i njohur Sylë Vrella, ishte kryetar i Lidhjes Socialiste aty, pra, edhe në krye të fshatarëve të irrituar në shtetin, i cili krimet i quante “deformime”.
Ndërkohë që çështja i kaloi Gjykatës, ne organizuam Mbledhjen Zgjedhore të Rinisë Komunale. Ibrahim Rugova ishte i vetmi student që kishte ardhur enkas nga Prishtina. Kishte zënë vend në fund të sallës. Të pranishëm ishin kryetari i partisë me stafin drejtues komunal, arsimtarët e Gjimnazit dhe të shkolluarit e tjerë. Ne i përsëritëm të gjitha ato që i kishim thënë në mbledhjen e partisë komuniste në Vrellë dhe shtuam edhe pyetjen: Kush ia ndërpreu bursën shkollore nxënësit jetim, bonjak, Ibrahim Rugovës? Në mbledhje folën edhe Rrustem Rugova, Muhamet Shatri, Isa Januzaj dhe të tjerë.
Ibrahim Rugova parashikoi se Qendra do të lëvizë. Dhe, u kthye në Prishtinë, për të informuar disa shokë të afërmë për rrjedhën e mbledhjes zgjedhore, e cila asaj dite dështoi me zgjedhjet. Të nesërmen, në mbremje, Kryetari i Partisë të Kosovës, do ta mbante një mbledhje urgjente me kuadrot e partisë të komunës, se “çfarë po ndodhë në Istog?” Dhe, të pasnesërmen do të zhvillonte një bisedë të hapur me studentët e Prishtinës, të ciët, guximshëm, mbështetën të gjitha kërkesat e rinisë komunale të Istogut.
E shpjeguam këtë ngjarje, sepse kjo shënon edhe kyçjen e parë direkte të Ibrahim Rugovës në politikën legale, madje, me një drejtëpeshim kombëtar të paluhatshëm. Për këtë kyçje të Ibrahimit në politikë, ka shkruar edhe Rrustem Rugova, në një libër të botuar tre vjet më parë.
Shumë personalitet ndërkombëtare kanë përmendur “kryeneçësinë e Ibrahim Rugovës” dhe gjithnjë në kontekstin pozitiv. Qysh në nismë të studimeve, njeriu i urtë, me qendrime dhe sjellje të matura, të përgjegjshme, me një edukatë supreme, sikur të ishte lindur larg vrazhdësive ballkanike, shpërfaqë kryeneçësinë ngulmuese, gjithnjë në mbrojtje të dinjitetit dhe të parimeve, qofshin ato morale apo kombëtare. Janë të një mendjeje shumë personalitete të qendrave të vendosjes se pa kryeneçësinë brilante të Ibrahim Rugovës, nuk do të ekzistonte jo vetëm pavarësia e sotme, por as Kosova.

Tri raste të shprehjes të kryeneçësisë të Ibrahim Rugovës:

1. – I zgjedhur nga Këshilli i Studentëve, Ibrahim Rugova mori drejtimin e gazetës studentore “Bota e re”, redaktor përgjegjës. Edhepse kryeredaktor ishte njeriu i mirë Daut Demaku, përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë e kishte radaktori. Për të përfshirë të gjitha trevat shqiptare, përzgjodhi stafin bazë të Redaksisë: Rexhep Ismailin nga Kosova Lindore; Eqrem Bashën nga Ilirida; Hajrullah Koliqin nga Ulqini dhe Sabri Hamitin nga Kosova. Por, edhe studentë të tjerë aktivë në krijime si Beqir Musliu, Mehmet Bardhi, Isak Shema dhe dhjetra të tjerë. Me kriktikat e hapura karshi pushtetit të kohës, ajo u bë gazeta e parë opozitare në Kosovë. Përballjen e parë e pati me pedagogun e vet, i cili kishte mbetur nostalgjik i partizanllëkut. Nga shpjegimi i pedagogut, Rugova student, kishte shënuar një fragment fatal. Poshtë tij, legjendën: “Mirë thoshte Marksi: “Asnjë epoke nuk i kanë munguar magartë!” Dhe, pason pseudonimi “Damevjuu”, onomatopeike, fëshikullimi.

Pedagogu, me gazetë në dorë, ankohet, duke mos harruar as biografinë e Rugovës, ke i pari i Partisë Komuniste të Kosovës, atëbotë Veli Deva. Shoku Deva fton rektorin Dervish Rozhaja dhe urdhëron shkarkimin e Rugovës nga drejtmi i gazetës. Rektori dakord, por “nëse merr përsipër marshimin e studentëve rrugëve të Prishtinës”. “Pse kaq shumë e keni ngritur atë student”, – tha kryetari Deva? – “Nuk e kam ngritur unë, ne zbatojmë ligjet dhe rregulloret e bëra nga ju të Komitetit. Studenti Rugova është i zgjedhur nga studentët”, – gjegjet rektori Rozhaja. -“Lëre”, – thotë kryetari. Dhe, thërret pedagogun, e këshillon të këtë kujdes në leksione, sepse jemi pas Plenumit të Brioneve!

2. – Në kuadrin e “Bota e re”, botohej edhe revista shkencore “Dituria” dhe ajo letrare “Plejada”. Pas dy numrave të dalë, “Plejada” ndalohet nga pushteti, si revistë me tregime e poezi armiqësore ndaj bashkim-vëllazërimit. I thirrur për të dhënë llogari, studenti Rugovë bëri pyetjen – sintezë: “A filluat nga e para”, duke aluduar për kohën e Rankoviçit?! “Ne do ta bëjmë tonën, ju bëni tuajën”, – u përgjigj prerazi Ibrahim Rugova!

3. – Në gazetën javore “Fjala” studenti Ibrahim Rugova kishte një faqe të saj. Ai përzgjidhte poetë shqiptarë dhe të huaj, kryesisht, të rebeluar karshi pushteteve të vendeve të tyre, si Migjeni, Jesenini, Lorka e tjerë dhe shfryente, duke i vënë monologjet në gojën dhe pendën e tyre. Me një rast, qendra partiake e Kosovës, e tërhoqi nga shitja, brenda ditës, një numër të kësaj gazete, me arsyetimin se është një shkrim kontestues i studentit Ibrahim Rugova. Dhe, “po të hiqen disa fjali apo ndonjë fragment nga shkrimi në fjalë, e zhbllokojmë shitjen e gazetës”. Redaksia e “Fjalës” e luti Rugovën ta bëjë këtë, por Ai refuzoi prerazi, duke shtuar se “politikën redaktuese e bëni ju dhe jo unë. Ju mund ta hiqni fare shkrimin, por unë nuk heq asnjë fjalë nga shkrimi im. Nëse ju bëni një lëshim të tillë, para presionit të pushtetit sot, pushteti nesër do ta shtojë dozën e kontrollit mbi gazetën tuaj. Prandaj, mendoni mirë, para se të veproni”. Dhe, redaksia u trimërua, ndërsa pushteti e bëri të vetën kësaj radhe, por nuk provoi herë tjetër.

E gjithë kjo ekspoze kujtimesh biografike, familjare e personale, dëshmon se Familja Rugova është martirizuar në vite e dekada. Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore Sadri Elezi – Rugova humbi katër djemtë: Gjemën, i cili zënë vend në vargjet e Lahutës të Malcisë të Gjergj Fishtës, Ibishin, Rrustën, Dhokun dhe nipin Ukën. Në Luftën e Kosovës u viktimizuan Ymer Rugova, (babai i kryetarit të komunës të Istogut), me tetë anëtarë të Familjes Rugova. Kjo Familje i dha Kosovës Presidentin e parë, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugovën, ideologun kombëtar, arkitektin e pavarësisë të Kosovës. Andaj Familja Rugova është Familje Simbol, Familje Institucion.

Bashkëthemelues të LDK-së, dikur, tani anëtarë të partisë kundërshtare, si krijuesi Milazim Krasniqi me shokë, e pranojnë se zgjedhja e Dr. Ibrahim Rugovës në krye të Lëvizjes Kombëtare, në dhjetor të vitit 1989, nuk ishte fare rastësi, por rrjedhojë logjike e dimensionit intelektual dhe e veprimtarisë atdhetare, në vijimësi. Që nga debati i bërë në Kongresin e Lidhjes të Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, Rugova konsiderohet si përfaqësues i mendimit kulturor e intelektual shqiptar. Pritja dhe lutja, nga shtatori deri në dhjetor, për ta drejtuar Lëvizjen Kombëtare, LDK-në, dëshmon se Dr. Ibrahim Rugova përmbushte në plotni, madje pa asnjë mëdyshje, kriteret e një lideri kombëtar të kohës. Zërat e çjerrë, të cilët e quajnë rastësi ose short këtë zgjedhje, janë mashtrues, profiterë e karrieristë të neveritshëm dhe të zgjyrosur me fund dhe me karrierë të mbyllur turpshëm.

Kryeneçësia e Dr. Rugovës në mbrojtje të qendrimeve të Tij, në mbrojtjen e parimeve, është proverbiale. Bernard Kushner, në kryeprestigjiozen “Le Mond”, shkruan për Presidentin Rugova: “Pa atë “kokëfortësinë” e tij elegante, madje edhe pa refuzimin e tij të përhershëm, sot nuk do të kishte as Kosovë dhe as shpresë për liri për këtë provincë të Serbisë”.
Presidenti Clinton ka thenë: “Kam pasur nderin ta mbështesë Rugovën, luftën dhe popullin e Kosovës. E kam dashur dhe e kam admiruar Presidentin Rugova. Ai inspiroi botën për liri, barazi dhe paqe”.
Lutja e Dr. Rugovës e bërë kryeministrit Blear: “Shpëtoje popullin tim, i cili po rrezikohet me asgjësim. Mendo si për popullin Tënd”, – ishte prekëse dhe mori përgjigje aprovuese nga kryeministri britanik: “Mbretëria e Bashkuar, do ta ndihmojë Kosovën, në rrugën drejt lirisë”. Dhe, Tony Blear premtimin e mbajti si burrë.
Dikur Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, ishin kritikë të rreptë të Rugovës. Por, më vonë kërkuan falje të sinqertë. Agolli hapi edhe të pame për vdekjen e Presidentit Rugova: “Unë dhe bashkëshortja ime Sadija, po presim ngushëllime në shtëpinë tonë për Presidentin Rugova”. Kadareja: “Gabova që kritikoja Rugovën. Rugova mbetet lideri më i madh i shekullit”. Ndërsa lideri i demokracisë dhe i të Djathtës Shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha vlerëson se “Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës në historinë shqiptare, që nga epoka e Skënderbeut”.

Lavdi jetës dhe veprës madhore të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova!
/botapress/