Tregu ditor në Suharekë mbyllet ende pa filluar punën (Foto)

E publikuar: 03/04/2015 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tregu i cili është përuruar me 30 Mars të këtij viti nuk po funksionon. Aty mund të shkosh lirisht me idenë për të blerë diçka të freskët por është e kot sepse është i mbyllur. TherandaPost e vizitoi sot tregun ditor dhe e gjeti në gjendjen që mund të shihet edhe në fotografi, i mbyllur.

“Ende nuk është bërë kyqja e rrymës “ – tha për TherandaPost, Shyqri Kryeziu, këshilltar për bujqësi në Komunën e Therandës.

Xhemajl Kabashi, drejtor për Bujqësi, tha se janë disa procedura të cilat duhet me shku në bazë të Asamblesë në përputhje me rregulloren.

“ Këto procedura kanë me marrë kohë pak. Këto procedura vazhdojnë, ndoshta më shumë se një muaj, se krejt këto duhet me shku përmes Asamblesë.

Ka filluar inicimi i këtyre procedurave. Tash në mbledhjen në Komitetin për Politikë dhe Financa jepet në rend dite kjo, aprovohet nga komiteti dhe kalon në Asamble më pas fillon procedura e tyre” tha për TherandaPost, Xhemajl Kabashi.

“Parashikohet së pari me një program të hapur e të barabartë për ta dhënë në menaxhim dikujt me kushte të caktuara, në konform të rregullores që ekziston, në një program të konkurrimit. Ai që ofron kushte më të mira e merr në shfrytëzim.

Hapi i dytë ose procedura e dytë, duhet të bëhet një thirrje publike me kritere të caktuara, se cilët fermerë duhet të kenë të drejtë çasjeje në treg” – bëri të ditur Kabashi.

Drejtoria e Bujqësisë, së bashku me donatorët, janë pajtuar që t’u mundësojnë çasje fermerëve prodhues. Sipas Kabashit, duan që personi i cili e merr në menaxhim tregun, ta kthejë në gjendjen që e ka marrë në fillim.“Mandej,është shumë më rëndësi me ju ofru çasje prodhuesve”, vazhdoi ai.

Gjithashtu, Kabashi tregoi se do të caktohet një tarifë konform me rregulloren e cila do të jetë vetëm sa për mirëmbajtjen e tregut.