Presidenti Thaçi ka thënë se rrëfimi për Kosovën nuk mund të marrë atë trajtën finale, pa mundësuar që shteti i Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, i BE-së, i Paktit NATO.
Prandaj, ai ka thënë se përmbushjen e këtij qëllimi ia kemi borxh qytetarëve të Kosovës.
“Kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullaksimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ai.
Sipas presidentit Thaçi, shpallja e ‘Strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor’ në fillim të muajit shkurt, por edhe shumë procese të tjera që janë të njohura për të gjithë ne, i kanë dhënë më shumë dritë perspektivës së ‘Finales së Madhe’ të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Javëve të fundit, si President i Kosovës, kam pas shumë takime, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shumë kryeqendra perëndimore, me politikanë dhe diplomatë të shteteve kryesore perëndimore, me qëllim që të ofrojë vizionin e Kosovës për fazën përfundimtare të bisedimeve të Brukselit, por edhe për të kuptuar se cilat janë qëndrimet e shteteve të cilat janë partnere të Kosovës në çlirimin, pavarësimin dhe stabilizimin e Kosovës si shtet”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai është shprehur i bindur se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo më sjell edhe tek thelbi i kësaj konference, pra cilët janë skenarët e mundshëm përpara. Siç kemi qenë dëshmitarë të gjithë, nuk ka dhe nuk mund të ketë Status Quo, apo një lloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kemi pasur realisht në dy vitet e fundit përkeqësim e jo përmirësim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mungesë të epilogut në dialogun e Brukselit. Prandaj, konsideroj se skenari i parë nuk i konvenon Kosovës, por as edhe rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi: S’duhet të ketë vija ndarëse për dialogun me Serbinë, t’i hapim rrugë Kosovës
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se udhëheqja kosovare ka qenë gjithmonë e gatshme për zgjidhje politike me Serbinë.
Sipas presidentit, Serbia nuk po dëshiron t’i jep fund mosmarrëveshjeve mirëpo Kosova ka qenë dhe është e gatshme të bëj marrëveshje historike, raporton lajmi.net.
Këto deklarata Thaçi i ka bërë në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga RIDEA dhe mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë.
Thaçi ka thënë se kanë kaluar njëzet vjet të plota nga lufta e jonë për çlirim, nëntëmbëdhjetë vjet nga Konferenca Paqësore e Rambouilletit, dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shtatë vjet nga fillimi i bisedimeve të Brukselit, ndërsa marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë të përmbyllura politikisht.
“Në të gjitha proceset ndërkombëtare që kanë synuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, udhëheqësia kosovare ka qenë e gatshme për marrëveshje politike me Serbinë. Janë humbur në të kaluarën dhjetëra vjet, pa fajin dhe përgjegjësinë tonë, shumë raste të mira, në mungesë të vullnetit politik të udhëheqësisë së Serbisë, për t’i dhënë fund armiqësive politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, që janë të vjetra më shumë se një shekull”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë.
“Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi”, shtoi ai.
Kreu i shtetit ka thënë se në politikën dhe në shoqërinë kosovare, ende kemi një pajtim të gjerë që duhet kryer punët e papërfunduara në raportet tona me Serbinë, dhe që duhet arritur marrëveshjen ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
“Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative, është interes nacional i Kosovës, i cili nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare. Në këtë proces ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik, dhe për t’i hapur udhë Kosovës për të qenë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, në Paktin NATO, kudo”, ka thënë presidenti Thaçi./Lajmi.net/