Thaçi takon Sekretarin amerikan të Shtetit: Kosova është e bekuar me besimin dhe partneritetin e ShBA-së

E publikuar: 26/02/2020 20:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit është duke vazhduar qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thaçi është pritur sot nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington.

Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dekada me radhë.

“Na keni përkrahur në kohët më të vështira si dhe në ditët më të mira tona. Mirënjohja jonë është e përhershme”, është shprehur Thaçi, transmeton Indeksonline.

Temë e diskutimit ishte edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e përhershme e paqes, në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të thotë paqe për tërë Evropën Juglindore, do të thotë kthim kah e ardhmja, do të thotë zhvillim dhe prosperitet”, ka thënë presidenti Thaçi në takim.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të vazhdojë të bashkërendojë çdo hap të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Duke ecur bashkë me Uashingtonin i kemi realizuar aspiratat tona”, përfundoi Presidenti Thaçi.

Tutje presidenti shtoi se Kosova është e bekuar me besimin dhe partneritetin e Amerikës.