Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

E publikuar: 20/04/2023 11:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se sonte është dita e fundit e agjërimit e se nesër festohet Fitër Bajrami, festë kjo, siç u shpreh ai, tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë.

“Sonte në vaktin e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar, Ramazan, gjatë të cilit me përkushtim, bindje, devotshmëri kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam, agjërimin e muajit Ramazan”.

“Në këtë natë të madhe në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi”, u shpreh tutje ai.

“Agjërimi i muajit Ramazan është ibadet të cilin besimtari e kryen vetëm për hir të Krijuesit, për ta arritur kënaqësinë e Tij, dhe i bindur se Ai do ta shpërblejë atë në Ahiret”.

“Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, u shpreh ai.

“Gjatë një muaji të tërë ishim si asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis”, tha Tërnava.

Tërnava uroi festën, duke dëshiruar ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi.