Teprojnë 50 milionë euro, komunat nuk i shfrytëzuan për investime kapitale

E publikuar: 03/01/2025 22:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohën kur qytetarë të shumtë po përballen me probleme infrastrukturore, ujëra të zeza e mungesë të shërbimeve të ndryshme, nivelit lokal dhe qendror po i tepron buxheti. Gjatë vitit 2024 komunat nuk kanë arritur të shpenzojnë mbi 50 milionë euro të buxhetit për investime kapitale. E më keq thuhet se qëndron niveli qendror. Komuna e Leposaviqit shpenzoi më pak se 2% të buxhetit për investime kapitale.

Mbi 50 milionë euro nga buxheti për investime kapitale u kanë tepruar komunave gjatë vitit 2024. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, nga mbi 290 milionë euro për projekte kapitale, komunat shpenzuan mbi 235 milionë vitin e kaluar. Më së paku nga buxheti për investime kapitale ka shpenzuar Komuna e Leposaviqit, me mbi 1%. Ndërsa, komunat që shpenzuan gjithë buxhetin, apo mbi 98% janë ajo e Ferizajt, Obiliqit, Lipjanit, Dragashit, Rahovecit, Suharekës e Parteshit, shkruan RTK.

“Komunat janë mbi 82 përqind që e kanë shfrytëzuar buxhetin për investimet kapitale. Edhe pse ka pasur pengesa jashtëzakonisht shumë nga niveli qendror komunat kanë performuar jashtëzakonisht mirë. Komunat që kanë realizuar 100 përqind të buxhetit për investime kapitale janë Ferizaj dhe Parteshit, derisa Obiliqi ka shpenzuar rreth 98 përqind, pastaj Lipjani, Dragashi, Suhareka, Malisheva, Vitia”, tha Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Por çfarë do të bëhet me buxhetin që u ka tepruar komunave?

“Mjetet që kanë ardhur nga niveli qendror e nuk kanë arritur të shpenzohen i kthehen nivelit qendror, derisa mjetet që janë nga të hyrat vetanake barten në buxhetin e vitit 2025”, shtoi Ibrahimi.

Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar arriti të shpenzojë rreth 63% të buxhetit për investime kapitale. Drejtori për Investime Kapitale në këtë komunë, Gëzim Mehmeti, ka fajësuar opozitën për mosrealizimin e një pjese të projekteve kapitale.