A do të votojnë të gjithë deputetët e VV-së kundër demarkacionit – përgjigja e Haxhiut

E publikuar: 22/02/2018 10:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pak minuta para fillimit të seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do të votohet për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi është shprehur e bindur në votën kundër të të gjithë deputetëve të VV-së, shkruan Insajderi.

Ajo ka thënë se të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do ta kundërshtojnë siç e ka quajtur ajo faljen e territorit të Kosovës, Malit të Zi.

“Të gjithë deputetët tanë do ta kundërshtojnë faljen e territorit”, ka thënë Haxhiu shkurt për Insajderin.

Më herët Haxhiu ka komentuar dy seancat siç i ka cilësuar ajo jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të kuvendit për demarkacion si dhe seancën për aktivistët e VV-së të dënuar për sulm ndaj kuvendit të Kosovës.

Kishte shkruar se deputetët duhet ta respektojnë betimin e dhënë për votën kundër marrëveshjes që i falë mbi 8200 hektar Malit të Zi.

“Sot mbahen dy seanca jashtëzakonisht të rëndësishme. Në të parën pra atë të Apelit, duhet dhënë fund turpit dhe padrejtësisë ndaj aktivistëve ndërsa në të dytën deputetët duhet të respektojnë betimin e dhënë pra të votojnë kundër marrëveshjes që i falë mbi 8200 ha, Malit të Zi”, kishte shkruar Haxhiu më parë në Facebook.

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e marrëveshjes për shënjimin e pikës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi do të mbahet sot me fillim prej orës 11:00./Insajderi.com