Të paktën 50 të vrarë në Orlando – Obama e cilëson sulmin akt terrori

E publikuar: 12/06/2016 20:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Orlando është shpallur gjendje e jashtëzakonshme pas sulmit në një klub nate të homoseksualëve, në të cilin u vranë të paktën 50 persona, ndërkohë që 53 të tjerë u plagosën, një numër i të cilëve në gjendje kritike.

Sulmuesi, që mori dhe pengje, u vra nga policia, e cila hyri në klubin e natës pas tre orësh.

Kryetari Orlandos Buddy Dyer thotë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishte e domosdoshme me qëllim të sigurimit të resurseve shtesë pas krimit, transmeton BBC.

“Sot po përballemi me diçka që ne kurrë nuk e kemi imagjinuar dhe është e paimagjinueshme:, tha Dyer.

Presidenti Obama në një adresim gjatë ditës nga Shtëpia e Bardhë tha se ky ishte një akt terrori.

“Dijmë mjaftueshëm për të thënë se ishte akt terrori dhe akt i urrejtjes” tha Presidenti Obama.

“Sot si amerikanë, ne dëshpërohemi për vrasjen brutale, një masakër të tmerrshme të dhjetra njerëzve të pafajshëm. Lutemi për familjet e tyre, që po përpiqen të gjejnë përgjigje me zemra të thyera. Qëndrojmë në krah të popullit të Orlandos që përjetoi një sulm të tmerrshëm në qytetin e tyre”.

Familjarët janë mbledhur në spitalin lokal duke pritur me ankth lajmet për më të dashurit. Shumë prej tyre kanë marrë telefonatë ose porosi nga të afërmit nga klubi dhe që prej atëherë nuk kanë dëgjuar më asgjë.

Sulmuesi u identifikua si Omar Mateen i cili u vra pas marrjes së pengjeve. Mediat në SHBA, të cilat citojnë burime të organeve të sigurisë, thonë se ai u lind në vitin 1986, në një familje të ikurish Afganë, dhe se jetonte në Port Saint Lucie në Florida. Gjithashtu thuhet se ai ishte një roje private e sigurisë.

Zyrtarët thanë se ka gjasa që sulmi të jetë i motivuar ideologjikisht megjithëse nuk ka informacione se sulmuesi po vepronte në çfarëdo grupi dhe as shenja se po planifikonte sulme.

Mediat njoftojnë se i dyshuari nuk ishte në listën e terroristëve por ishte pjesë e hetimit për shkak të veprave të tjera kriminale, që nuk ndërlidhen me këtë akt.

Baba ii të dyshuarit tha se beson se i biri i tij ishte i motivuar nga “urrejtja ndaj homoseksualëve dhe jo nga feja e tij myslimane..

“Nuk ka të bëjë fare me fenë”, i tha zoti Saddique rrjetit amerikan NBC Neës.

Saddique tha se i biri i tij u “acarua kur pa dy meshkuj të putheshin në Miami, disa muaj më parë dhe mendon se kjo ishte arsye e ndërlidhjes me të shtënat.

“Kërkojmë falje për gjithë incidentin”, tha ai. “Jemi të shokuar njëlloj si edhe i gjithë vendi”

Agjenti special në detyrë i Departamentit për sundimin e ligjit në Florida, Danny Bank tha se sulmi po hetohet si një akt i terrorizmit.

Ai tha se autoritetet po hetojnë nëse ishte një akt i terrorit të brendshëm ose ndërkombëtar dhe nëse sulmuesi po vepronte i vetmuar.

Agjenti i FBI, Ronald Hopper, tha se sulmuesi dukej “të anonte drejt” ideologjisë radikale islamike.

Në një deklaratë senatori i Floridas. Marco Rubio, tha se një nga sfidat më të mëdha të SHBA-së në fushën e sigurisë dhe të inteligjencës është kontrollimi i radikalëve të dhunshëm brenda SHBA-së.

Presidenti Barack Obama urdhëroi qeverinë federale që të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme për policinë e Floridës në hetimet e sulmit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kjo është vrasja më e rëndë në historinë e re të SHBA-së, njofton BBC.

Një dëshmitar në klub e përshkroi gjendjen si kaotike.

“Gjithandej kishte trupa”, tha Kristofer Hansen. “Në parking i shënuan me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe, pa e ditur se kujt i duhej ndihma më parë. Me pantollona të zhveshura, me bluza të shqyera duhej të gjenin plumbat. Gjithkund kishte gjak”

Numri i të vrarëve në Orlando tejkalon numrin e të vrarëve në masakrën në Institutin Politeknik të Virginia në vitin 2007 kur u vranë 32 njerëz, transmeton rel.

Sipas Mass Shooting Tracker, në SHBA gjatë vitit të kaluar janë shënuar 372 të shtëna masive, të definuara si incidente individuale në të cilat janë vrarë ose lënduar nga katër e më shumë njerëz. Rreth 475 njerëz janë vrarë dhe mbi 1870 janë plagosur.