Takimi 3 orësh i minatorëve pa rezultat, thonë se s’kthehen në punë pa u dalë pagat – data s’dihet

E publikuar: 31/07/2024 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Takimi rreth 3-orësh mes minatorëve e menaxhmentit të Trepçës ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Minatorët janë të vendosur që të mos i kthehen punës deri në ekzekutimin e pagave, që u janë vonuar tash e dy muaj. Menaxhmenti ndërkohë ka kërkuar bashkëpunimin e tyre për të dalë nga situata e rëndë në të cilën ndodhen. Datë për ekzekutimin e pagave s’ka ende. Kryeshefi i Trepçës ka paralajmëruar takim me Bordin për të gjetur një zgjidhje. Ministria e Ekonomisë po vazhdon të heshtë për këtë situatë.

Herët në mëngjes, minatorët janë mbledhur në menzën e minierës së Stan Tërgut për të diskutuar për situatën e rëndë në të cilën ndodhen, meqë nuk janë paguar qe dy muaj. Në takim kanë marrë pjesë edhe menaxhmenti i Trepçës.

Drejtori i Minierës së Stan Tërgut, Shyqri Sadiku, i ka thënë Gazetës Express se takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat dhe se vazhdon gjendja e njëjtë.

“Takimi ka përfunduar. Ndonjë rezultat konkret nuk kemi. Gjendja vazhdon si më parë”, ka deklaruar Sadiku.

I pyetur se kur do t’u ekzekutohen pagat minatorëve, Sadiku ka thënë se nuk kanë ndonjë datë,

“Jo, ende nuk kemi datë, jemi në pritje”, ka thënë Sadiku për Express.

Takimi i minatorëve me sindikatën dhe menaxhmentit është përcjellur nga afër nga disa media në vend.

Sipas raportimeve në media, minatorët janë shprehur kategorikisht kundër nisjes së punës pa u ekzekutuar pagat.

Në këtë takim pjesëmarrës ka qenë edhe Kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti, i cili ka kërkuar bashkëpunimin e minatorëve për të nxjerrë ndërmarrjen nga kjo situatë e rëndë në të cilën ndodhet. Ai ka premtuar zgjidhje.

“Po besoj se bëjmë zgjidhje, meqenëse e kanë marrë shumë seriozisht çështjen që jemi ne si Trepçë por me dalë nga kjo situatë duhet bashkëpunimi i dy palëve. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar, ju kryeni punën e juaj e ne e kryejmë punën tone”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ai indirect ka fajësuar minatorët që janë në grevë, ku ka thënë se po të nxirreshin xehet, pagat do të ekzekutoheshin sot.

“Si menaxhment e kemi bërë të pamundurën për me dalë prej situatës në të cilën jemi. Askujt nuk i konvenon kjo situatë sepse sot jemi në ditën e 23-të, mesatarisht me 250 ton xehe është dashur me dal mbi 9 mijë ton xehe e që kur i konverton në para, atëherë pagat tona i kishim kryer sot”, deklaroi Kurti.

Në fund, kryeshefi tha se gjatë ditës do të mbajë një takim me Bordin për të gjetur një zgjidhje.

Bordi i kësaj ndërmarrje dje ka dalë me një reagim, ku ka thënë se po punon intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat dhe minatorët t’i kthehen punës në minierën me flotacion Trepça-Stan Tërg.

Në reagim është thënë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Për tejkalimin e situates, kanë thënë se kërkohen reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar.

“Udhëheqja e ndërmarrjes e kupton rëndësinë e kërkesës së minatorëve dhe po punon me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur, për të rifilluar punën e minierës me flotacion Trepça-Stan Tërg dhe për të stabilizuar operimet e ndërmarrjes”, është thënë në reagim.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka akuzuar menaxhmentin, bordin, Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë për mosinteresim për fatin e kësaj ndërmarrje dhe minatorëve.

“Një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepça Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”, është thënë në reagimin e sindikatës.

Nga kjo sindikatë kanë paralajmëruar edhe mundësinë e migrimit jashtë vendit të minatorëve.

“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit.

Ministria e Ekonomisë ende nuk ka dalë me ndonjë reagim për situatën në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje.

Gjendja e vështirë financiare e kësaj ndërmarrje përmendet edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023.

Aty theksohet se ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj.

“Ndërmarrja, tek detyrimet e tjera afatshkurtra kishte prezantuar tatimi në paga i pagueshëm 2,157,218 euro, kontributi i pagueshëm 3,256,317 euro, interesi dhe ndëshkimi i pagueshëm në tatim dhe kontribute në vlerë 1,501,469 euro. Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit, kjo kishte ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë financiare të ndërmarrjes”, theksohet në raportin e Auditorit.

Në raport përmendet edhe se si ndërmarrja është përballur gjatë vitit të kaluar me procedura përmbarimore në vlerë mbi 6.5 milionë euro.

“Ndërmarrja gjatë vitit ishte përballur me procedura përmbarimore ku vlera e lëndëve në pritje për t’u ekzekutuar në fund të vitit 2023 ishte 6,599,696 euro. Po ashtu ndërmarrja në PFV kishte njohur humbje të vitit në shumë prej 5,370,713 euro. Paaftësia e ndërmarrjes për të shlyer obligimet e saj ndikon që ndërmarrja të ketë kosto shtesë gjyqësore dhe përmbarimore, si dhe ndikon në rritjen e rrezikut për solvenitetin afatgjatë të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditorit.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Kjo ndërmarrje bashkë me të tjerat është paraparë që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.