Takimet e Mustafës për demarkacionin, të vonuara

E publikuar: 14/09/2016 16:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Takimet që ka filluar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, me palë dhe institucione të ndryshme po vlerësohen të vonuara, nga deputetë dhe analist politik.

Ata janë skeptik se nga këto takime mund të ketë ndonjë rezultat për të gjetur një zgjidhje për Demarkacionin e cila më shumë se një vit nga nënshkrimi mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Deputeti i LDK-së dhe eksperti i kësaj fushe Shpetim Bulliqi ka thënë se çdo iniciativë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje është e mirëseardhur por vlerëson se është e vonuar.

Ai për lajmi.net ka thënë këto takime është dashur ti zhvillojë Komisioni Shtetëror për Demarkacioni, pasi, siç vlerëson ai nuk janë punë e kryeministrit.

Bulliqi i cili ka qenë njëri nga kundërshtuesit e versionit aktual të shënimit të pikës kufitare me Malin e Zi, ka thënë se shprehur dyshimet se këto takime janë më shumë sa për të krijuar një përshtypje në opinion se po bëhet diçka.

“Unë nuk e di se a do ta ndërrojnë situatën këto takime dhe në rast së gjendet ndonjë fakt relevant për problemin nuk e di a e kanë disponimin me ndry situatën, ndoshta mos është më tepër në kuptimin  daljes në opinion publik për të krijuar bindjen se diçka po hulumtohet në këtë aspekt”, ka thënë Bulliqi për lajmi.net.

Analisti politik Donik Sallova thotë se tashmë kryeministri Isa Mustafa e ka kuptuar se koalicioni nuk i ka votat për demarkacionin.

Ai vlerëson së këto takime mund të kenë dy qëllime nga të cilat edhe varen rezultatet.

“Dialogu i tij me palët mund t’i këtë dy qëllime, e para përmes këtij dialogu qeveria te kuptoje të vërtetën lidhur ne demarkacionin, ose , e dyta, përmes dialogut qeveria t’i bind palët e përfshira për të vërtetën e demarkacionit sipas përfundimeve te komisionit shtetërorë”.

“Nëse është qëllimi i parë, atëherë ka mundësi që nga ky dialog të këtë zhvillime përpara në këtë çështje, nëse është qëllimi i dytë, atëherë kjo është një far blerje kohe për t’i bindur deputetet kundërshtues brenda koalicionit qeveritare qe ta votojnë demarkacionin”, ka thënë Sallova për lajmi.net.

Ai ka vlerësuar që këto takime të Mustafës  e nxjerre nga loja presidentin Thaçi i cili sipas tij, ka pasur kryesisht rol destruktiv në këtë proces, për shkak te “konfliktit te interesit” qe ka pasur ne këtë çështje, meqë ka qenë i përfshirë si ministër.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur disa takime duke përshirë edhe kryetarët e komunave të rajonit të Dukagjinit për të diskutuar lidhur me dilemat që janë ngritur rrethe Demarkacionit.