Tahiri: Shpejt finalizohet zbatimi i marrëveshjeve të rëndësishme

E publikuar: 12/11/2016 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se shumë shpjet do të finalizohet zbatimi i disa prej marrëveshjeve të rëndësishme me Serbinë, të arritura në Bruksel, pas bisedimeve të përbashkëta, njofton Klan Kosova.

Tahiri këto deklarata i ka dhënë të premten, derisa qëndroi në Mitrovicë ku mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët në lidhje me rëndësinë e dialogut të Brukselit për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në këtë takim që është i gjashti me radhë, i mbajtur gjatë këtij viti, si një dialog i hapur mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve nga të gjitha komunitetet në veri të vendit, shqiptarëve, serbëve dhe boshnjakëve, u diskutua për procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

Këto tryeza janë organizuar nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore dhe janë mbështetur nga ambasada norvegjeze.

“Së shpejti do të vendoset sistemi unitar i drejtësisë në veri të vendit, do të hapen zyrat e gjendjes civile dhe regjistrit civil për t’i pajisur qytetarët me dokumente të shtetësisë së Kosovës, do të fillojnë punën një numër i madh zyrash të ministrive dhe agjencioneve që kanë fushëveprimtari lokale”, ka thënë Tahiri.

“Dialogu i Brukselit po mundëson që hap pas hapi të konsolidojmë sovranitetin shtetëror edhe në veri të vendit dhe të normalizojmë gjendjen që është në dobi të qytetarëve të cilët aspirojnë një jetë më të mirë dhe më të sigurt”.