Tahiri premton sërish: Për tre muaj do të hiqet barrikada mbi lumin Ibër

E publikuar: 22/03/2015 18:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dialogu me Serbinë do të vazhdoj edhe më tej, ndonëse kjo e fundit herë pas herë nuk ka zbatuar marrëveshje, por edhe ka shkelur ato.

Shuarja e strukturave paralele është bërë në mas të madhe, edhe pse shqetësuese vazhdon të mbetet prezenca e Mbrojtjes Civile në veri të vendit, për çka edhe pala kosovare ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të bëj trysni më të madhe karshi zyrtarëve të Beogradit.

Ndërsa barrikada mbi urën e Lumit Ibër, apo i ashtuquajtur “Park i Paqes”, pritet të hiqet në këto tre muaj.

Për këtë barrikadë ministrja pa portofol në qeverinë e Kosovës si dhe ministrja për dialog me Serbin Edita Tahiri pati folur edhe në korrik të vitit të kaluar dhe në atë kohë pati thënë se barrikada do të hiqet shumë shpejtë.

Këtë, ajo e thotë edhe tani në një intervistë për KosovaPress.

Tani ajo thotë se vetë dialogu me palën serbe është një proces paqësor, që synon relaksimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, ndonëse ky proces sipas Tahirit me të drejtë nuk është përkrahur nga opinioni publik, për faktin se Serbia vazhdon të mos kërkoj falje për krimet e kryera në Kosovës dhe po vonon në njohjen e shtetësisë së saj.

“Megjithatë ky dialog po jep rezultate të rëndësishme edhe në kuptimin e vendosjes së një normaliteti në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe ky normalizim për ne do të thotë që Serbia duhet t’i zhbëj të gjitha strukturat paralele në Kosovë dhe të ndal ndërhyrjet, dhe ankesat tona në Bruksel janë pikërisht në këtë drejtim. Sepse Serbia nuk zbaton sinqerisht dhe efektivisht marrëveshjet e Brukselit dhe vazhdon të ndërhyj , me këtë rast Serbia në një mënyrë po e tregon një politik të standardeve të dyfishta gjë që nuk është e re për Serbinë se është e njohur për politikën e hipokrizisë. Mirëpo ajo që ne kërkojmë meqë marrëveshjet janë të nënshkruara, Serbia duhet të zbatoj këto marrëveshje”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj ankesat e palës shqiptare në moszbatimin e marrëveshjeve ka të bëjë me atë se Serbia duhet t’i kthej shpinën politikave të vjetra dhe të përqafoj politikat evropiane.

Tahir më tej thotë se Serbia ndonëse ka shuar disa struktura paralele, në pjesën veriore vazhdoj të funksionojnë disa të tilla, për çka edhe delegacioni kosovar ka kërkuar nga BE- që të bëj trysni mbi Beogradin zyrtarë për shuarjen e tyre.

“Fillimisht dua të them se në disa fusha Serbia i ka shuar strukturat paralele, mund të përmend cilat janë ato fusha, janë mbyllur strukturat paralele serbe të Policisë, një kohë pas luftës ka vepruar në veri MUP-i apo e njohur si struktura Policore të Ministrisë së Brendshme të shtetit fqinjë Serbisë. Kjo strukur tashmë është zhbërë, pastaj kemi integrimin e këtyre në institucionet e policisë dhe të vendit të Kosovës, kemi mbylljen e strukturave paralele doganore , për një kohë të gjatë ka pas dogana paralele sidomos në pikat doganore Jarinje dhe Bërnjak, dhe në veri janë mbyllur dhe nuk përdoren më vulat paralele të doganave. Pastaj kemi krijimin e strukturave legale në katër komunat gjë që nuk ka ekzistua që nga paslufta. Mirëpo shqetësimi ynë është se gjersa këto komuna po funksionojnë legalisht, jo në mënyrë perfekte, ndërkohë Serbia përkrah edhe komunat ilegale. Pra këto janë kërkesat tona, në fushat ku Serbia nuk i ka mbyllur ende strukturat paralele, duhet t’i mbyll përndryshe ka përparime pozitive”, ka thënë Tahiri.

Kosova duke qenë konstruktive në bisedimet me palën serbe sipas Tahiri ka përfituar edhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ndërsa Serbia ndonëse që nga janari i vitit 2013 ka nisur bisedimet me BE-në për anëtarësim, ka mbetur e bllokuar pikërisht për shkak të mos respektimit të marrëveshjes së Brukselit. Kjo tregon edhe për kushtet që Bashkimi Evropian iu ka vënë shteteve.

Ndërsa ka thënë se vendi pritet që brenda këtij viti të përmbyll procesin e stabilizim asociimit

“ Ne si Kosovës jemi palë negociatore në këtë proces, siç është edhe Serbia dhe ne kemi një ndërmjetësues pra Bashkimin Evropian, i cili tashmë i ka vendos edhe kushtet për të dyja shtete. Këto kushte janë nëse palët do të jenë konstruktive në zbatimin e marrëveshjeve mund të përparojnë më shumë drejtë Bashkimit Evropian, në qoftë se do të jetë penguese do të bllokohen. Në këtë rast Serbia duke qenë pra një palë e cila nuk po i zbaton si duhet marrëveshjet pra kohë pas kohe s’po i zbaton fare, madje po i shkel, BE e ka bllokuar Serbinë në procesin e bisedimeve në anëtarësim në BE. Siç mund ta dini në janar të vitit të kaluar Serbisë i është hapur mundësi që të nisë bisedimet për 34 kapituj që janë në rrugën e integrimit… Por meqenëse Serbia ka dështuar në zbatimin e marrëveshjeve, bashkimi evropian e ka bllokuar procesin e bisedimeve, pra Serbia po vonohet tash 1 vit e gjysh në këtë proces si dhe i është vënë kusht kapitulli 35, pra kapitull shtesë në këtë proces, i kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë. Pra mendoj që Bashkimit Evropian është duke zbatuar masat e kushtëzimeve dhe ndëshkimeve në qoftë se një apo pala tjetër, nuk i zbaton marrëveshjet. Në këtë rast palë e ndëshkuar është Serbia, ndërkohë Kosova ka marrë marrëveshjen e stabilizim asociimi që pritet të nënshkruhet në fillim të 6 mujorin e parë të këtij viti, dhe në pjesën e dytë të vitit do të ratifikohet marrëveshja e stabilizim asociimit, dhe vlera e kësaj marrëveshje është e shumëfishtë”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit arritjet e Kosovës nuk janë bërë vetëm fal këtij dialogu, por edhe reformave që ka bërë shtetit brenda tij.

Ministrja e dialogut ka thënë se pala kosovar tashmë i ka bërë me dije Brukselit zyrtar se nuk do të vazhdoj tutje të negocioj për Asociacionin e komunave serbe, pa u zbatuar Marrëveshja e Drejtësisë e nënshkruar në shkurt të këtij viti.

Tahiri edhe njëherë ka ritheksuar se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive as mbikëqyrëse, por vetëm kompetenca konsultative dhe koordinuese.

Tahiri ka folur edhe për heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër, duke thënë se kjo është kompetencë e BE-së, për çka kjo e fundit sipas saj pritet që brenda këtyre tre muajve të ardhshëm të largoj të ashtuquajturin “Parku i Paqes”.

“Unë kam zhvilluar takime në Bruksel me 25 shkurt jo vetëm për heqjen e barrikadës por për të gjitha çështjet e mbetura në procesin dialogut të Brukselit dhe arsyet e vonesave si dhe kam parashtruar kërkesën për shuarjen e strukturave paralele. Po ashtu përsëri kam takuar përfaqësuesin special të BE-së në Kosovës zotërin Zhbogar, me të cilin kam biseduar edhe për afate edhe për domosdonë e heqjes së barrikadës, sepse me marrëveshjen e arritur në Bruksel në korrik të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian mori autorizimet që të heq barrikadën . Ata kanë punuar në një proces të hartimit të një plani për rivitalizimin e urës së Ibrit, meqë rast do të hiqet dhe barrikada mbi këtë urë dhe të tjera që janë për rreth dhe që janë krijuar në ato kohë. Plani i BE-së është në zhvillim e sipër, unë kam kërkuar edhe datën, natyrisht nuk ishin në gjendje të më japin një datë të saktë, por në një mënyrë në bazë të dinamikave të tyre është paralajmëruar se brenda tre muajsh fillon procesi i rivatlizimit dhe hiqet barrikada”, ka thënë Tahiri. /KP/