Tahiri fton qytetarët të japin propozime dhe sugjerime për Kodin Penal

E publikuar: 06/03/2018 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, se Projekt-Kodi Penal i Republikës së Kosovës është në fazë të konsultimeve publike.
Tahiri e ka quajtur hartimin e këtij dokumenti si njëri nga proceset më të rëndësishme legjislative të bëra nga Ministria që drejton.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se njëri nga proceset më të rëndësishme legjislative të zhvilluara gjatë kësaj periudhe nga Ministria e Drejtësisë, rishikimi i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, tashmë ka përfunduar dhe nga sot është në fazë të konsultimeve publike”, ka shkruar Tahiri.

Ministri Tahiri ka bërë të ditur se Projekt Kodi bazohet në parimet e shtetit të së drejtës, dhe se është hartuar në përputhje me standardet evropiane.

“Projekt-Kodi Penal i Republikës së Kosovës, bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe konsideratës më të lartë të parimeve humane. I njëjti është hartuar dhe është në përputhje të plotë edhe me standardet evropiane dhe shënon një hap përpara në reformimin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Prandaj, për qëllime të transparencës së procesit si dhe ngritjes së cilësisë së përmbajtjes së këtij akti, e mirëpres dhe ju ftoj të jepni kontributin tuaj përmes propozimeve dhe sugjerimeve deri me datën 15 mars 2018”, ka përfunduar Tahiri./Express/