Sylë Tahirsylaj: Të martën bien temperaturat, ka rrezik të bie breshër

E publikuar: 05/08/2017 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deri të martën përfundon vapa e madhe që ka përfshirë Kosovën dhe rajonin. Temperatura, që matët nën hije, sivjet ka shkuar deri 39 gradë celsiusë. Por, në disa vende temperatura mund të jetë edhe më e lartë për shkak të deponive, asfaltit etj. Megjithëkëtë, ende nuk ka ardhur momenti i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Por, pas rënies së temperaturave, do të ketë rrezik që të bie breshër dhe të prish kulturat bujqësore. Kosova s’ka sistem për mbrojtje nga breshëri. Ish-drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tani profesor i Meteorologjisë në UP, Sylë Tahirsylaj, flet për Express.

Express: Deri kur do të vazhdojë moti i nxehtë në Kosovë dhe rajon?

Sylë Tahirsylaj: Deri në ditën e martë do të vazhdojë ky mot. Ditën e martë do të ketë reshje dhe ka rrezik nga breshëri që është në interes të keq për popullatën. Sepse ua prish kulturat bujqësore. Prandaj, vendi ynë do të jetë të martën në ndikimin e këtyre masave ajrore që vijnë nga Afrika Veriore. Sipas imazheve satelitore i gjithë rajoni i Ballkanit është i përfshirë me këto temperatura të cilat janë mjaftë të larta për kushtet klimatike dhe pozitës gjeografike të vendit tonë. Prandaj, në bazë të të dhënave temperaturat në Kosovë janë deri afër 39 gradë celsius maksimalet, ndërsa, minimalet janë netë tropikale këto ditë deri të martën , kur temperatura është më e lartë se 20 gradë celsius gjatë natës konsiderohet si netë tropikale. Ditën e martë pritet që të ketë reshje shiu do të ketë shkarkime atmosferike me shkallë të rrezikshmërisë për breshër, meqenëse, Kosova bën pjesë në aktivitetin e reve për breshër formuese dhe nuk ka sistem të mbrojtjes kundër breshëritë.

Express: Kur ka pasur raste të tilla të temperaturave kaq të larta?

Sylë Tahirsylaj: Në bazë të të dhënave historike të veprimtarisë hidrometeorologjike të Kosovës në vitin 1965 në Prizren është shënuar temperatura më e lartë nën hije gjithnjë 39 gradë celsius. Temperatura matet nën hije, në qytete dhe në vendbanime mundet me qenë edhe më e lartë se 38-39 gradë celsius për arsye se janë reflektimet të cilat vijnë nga materialet ndërtimore,  deponitë, asfalti etj. Prandaj, janë dy nocione ndjeshmëria e qytetarit ndaj temperaturave sepse nuk është 40 gradë sepse sistemi i tij e regjistron më të lartë, mirëpo, temperaturat zyrtare janë ato që maten në institutet meteorologjike të vendeve.

Express: Cilat janë pasojat e kësaj temperature kaq të lartë?

Sylë Tahirsylaj: Temperaturat e larta kanë drejtpërsëdrejti ndikim në sistemin nervor,  te personat që vuajnë nga sëmundjet koronare etj. Në Kosovë nuk kemi ende aparaturë për matjen e rrezeve ultraviolete prandaj dalin rezultate që nuk  janë të këtij vendi dhe shkaktojnë panik te popullata.  Kosova nuk ka meteoalarm. Meteoalrami merret nga shtetet tjera fqinje por masat ajrore nuk kanë atdhe qarkullojnë por ndryshojnë në pozitën gjeografike të vendeve sepse nuk është e njëjtë hidrografia, lartësia mbidetare, reshjet e natyrës etj, janë shumë parametra të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejt në temperaturat e një vendi. Prandaj në qytete në vendbanime mundet me qenë edhe më e lartë se 40 gradë celcius por ajo nuk është zyrtare. Zyrtare është temperatura e cila matet sipas metodikës unike të organizatës botërore meteorologjike. Edhe ndjeshmëria nuk është zyrtare sepse dikush e ndjen më tepër dikush më pak. Por, kryesore është që në ditën e martë përfundojnë këto temperatura.

Express: Cili është vlerësimi juaj, pse po janë temperaturat kaq të larta, lidhet me ngrohje globale apo ka edhe faktorë tjerë?  

Sylë Tahirsylaj: Këto kanë qenë edhe më parapa të shënuara por janë aktivitete të diellit, janë të ndërlidhura drejtpërsëdrejti me aktivitetin e diellit. Në çdo sekondë 4 milionë të matjes së diellit zbërthehet në bazë të reaksioneve bërthamore hidrogjen helium, ajo depërton në shpërndarjen vertikale të atmosferës..

Express: Por sipas jush kur duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, në çfarë temperaturash?

Sylë Tahirsylaj: Ende nuk ka kalu temperatura për shpallje të jashtëzakonshme. Por, nuk mund të prononcohem për arsye se unë nuk disponoj në bazë të të dhënave të rrjetit meteorologjik të vendit. Është kompetencë e Institutit Hidrometeorologjik dhe Qeverisë të vlerësojnë situata të tilla.

Express: Cila është këshilla juaj për institucionet e Kosovës, qysh duhet të sillen në këtë kohë vape?

Sylë Tahirsylaj: Duhet të respektojnë rekomandimet që vijnë nga institutet profesionale edhe nga mjekësia, për shkak se njeriu jeton në fusha fizike. I pëlqeu, ose jo, ai duhet t’u nënshtrohet këtyre fushave dhe është pjesë përbërëse e fushave të cilat veprojnë. Qoftë ajo fusha magnetike, e radioaktivitetit, hidrologjike edhe meteorologjike, prandaj janë fusha të cilat janë pjesë përbërëse e njerëzimit të cilat jetojnë, bashkëveprojnë dhe duhet të respektohet në radhë të parë mbrojtja e natyrës duke e degradu natyrën janë rezultatet të cilat i elaborova më herët./