Suspendohet nga puna polici që u kap me kokainë në lagjen “Matiqan”

E publikuar: 02/01/2025 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar nga puna policin G.L, i cili u kap me kokainë mbrëmë rreth orës 23:30 në lagjen Matiqan në kryeqytet. 

Njërit nga të dyshuarit, zyrtar policor i Policisë së Kosovës, i është vërejtur një telefon dhe një kartëmonedhë e mbështjellë prej 20 eurosh, të cilën dyshohet se e kishte përdorur për të konsumuar lëndë narkotike të llojit kokainë.

Polici, G.L, gjatë kontrollës së veturës nga ana e policisë, ka deklaruar se aty gjenden dy qese me substanca narkotike, njëra e llojit marihuanë, tjetra e llojit kokainë.

Në komunikatën e IPK-së thuhet se qesja me kokainë kishte peshën e 1.1 gram, ndërsa ajo me marihuan 1 gram.

Përveç suspendimit nga puna, zyrtari policor bashkë me tre të dyshuarit tjerë është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Hetuesit e IPK-së dhe të PK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit)”, thuhet në komunikatë.