Superkupa Kosovë – Diasporë: Mbahet konferenca për media para ndeshjes FC Prishtina – AKV Bardhosh Gërvalla

E publikuar: 24/10/2018 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Para ndeshjes së nesërme për Superkupën Kosovë – Diasporë, ndërmjet fituesit të Digitalb Kupës së Kosovës FC Prishtina  dhe skuadrës fituese të Kupës së Kosovës nga Diaspora AVK ”Bardhosh Gërvalla” nga Ludwisburgu, në sallën e konferencave të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë u mbajt konferencë për media.

Të pranishmit fillimisht në emër të presidentit Agim Ademi, i ka përshëndetur Zv. sekretari i përgjithshëm i FFK-së,Arianit Ahmeti, i cili u dëshiroi mirëseardhje ekspeditës së klubit “Bardhosh Gërvalla”, duke theksuar se tradita e zhvillimit të këtyre ndeshje po vazhdon dhe kjo do të vazhdojë nën patronatin e FFK-së dhe që kjo ndeshje, mbase ka një karakter më shumë se sa sportivë, sepse kjo na bën të njohim edhe më shumë njëri-tjetrin.

“Unë besoj se nesër adhuruesit do të kenë rastin të shohin një ndeshje të mirë, ndërsa unë ju dëshiroj të dyja klubeve një garë korrekte në frymë sportive e mbi të gjitha vëllazërore”.

Ndërkaq, sekretari i Federatës së Futbollit Shqiptar për Gjermani, Miftar Dragidella, ka falënderuar FFK-në, Ministrinë Diasporës dhe Inovacionit si dhe klubin Prishtina, duke theksuar rëndësinë e kësaj ndeshje.

Tutje Dragidella ka folur edhe për klubet e futbollit në Gjermani dhe rrugëtimin e tyre deri të kjo ndeshje e tash te klubit “Bardhosh Gërvalla”, pasi ka mundur klubin fitues të Zvicrës.

“Ne kemi filluar këtë traditë prej viti 2002, pavarësisht vështirësive që kemi ne do të vazhdojmë edhe më tutje. Në emër të klubit “Bardhosh Gërvalla” është falënderuar kryetari i Isfuf Gashi, i cili tha se me gjithë vështirësitë ia kemi arritur të vijmë këtu dhe ta zhvillojmë një ndeshje me klubin më me nam në futbollin e Kosovës”.

Kapiteni i AVK Bardhosh Gërvalla, Fatos Povataj duke falënderuar FFK-në dhe klubin nga kryeqyteti tha se e dimë që prishtinasit janë klub profesional. “Ne jemi amatorë, por gjithsesi do të mundohemi të bëjmë një lojë sa më të mirë”.

Në emër të FC Prishtina të pranishmit i ka përshëndetur Arbnor Morina, drejtor Sportiv, i cili klubit Bardhosh Gërvalla u tha mirës vini në vendin tuaj dhe ne do të bëjmë çmos që të kemi një atmosferë të mirë me një ndeshje të mirë.

Debatik Curri njëri nga futbollistët e vjetër të Prishtinës tash anëtar i Shtabit teknik të FC Prishtinës, ka bërë thirrje shikuesve që të jenë në numër sa më të madh.

Të kujtojmë se kjo ndeshje zhvillohet nesër më 25 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe fillon në orën 13.00.