Një jastëk i madh me ngjyrë të bardhë është dërguar para ndërtesës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës sot në mesditë.
Ky jastëk dedikuar për gjumë të akademikëve është ‘dhuruar’ nga studentët e Lëvizjes studentore “Studim, Kritikë, Veprim”.
Këtë ‘dhuratë’ për akademikët, studentët e kanë arsyetuar me atë se Akademia është në një gjumë të thellë.
Trim Gashi, njëri nga studentët që i përket kësaj lëvizje studentore tha se, Akademia do të duhej të ishte në majat e intelektualitetit të Republikës dhe me shumë përgjegjësi ta kryen punën e saj. Por sipas tij ASHAK do duhej të reagonte kundër objektit që është vendosur dhunshëm në hapësirën universitare, por ajo nuk bëri as reagimin më të vogël.
“Në njërën anë kemi projektin direkt të akademisë serbe, e cila në vazhdimësi nxjerr projekte të reja për kolonizimin e Kosovës, dhe në anën tjetër kemi një akademi, që nuk bën as reagimin më të vogël për këtë çështje. Pra ekziston një akademi serbe që shtyn përpara projekte të trilluara, dhe në anën tjetër një Akademi e Kosovës që nuk i mbron as të vërtetat tona”, tha Gashi.
Gashi, po ashtu tha se kjo Akademi me papërgjegjësitë që po i bën, fare nuk po shërben si një Akademi, dhe sipas tij, Akademia duke mos reaguar po i jep konfirmim pushtetit karshi situatave të cilat po e cenojnë integritetin dhe autonominë përmes funksionalizmit të pseudo-kishës ortodokse në Kampusin Universitar.