Stafi duhet të largohet nesër! Zhvillimet në ambasadën iraniane, dokumentet digjen brenda një fuçie, lëvizjet e shpeshta të “Audit” me xhama të zinj

E publikuar: 07/09/2022 21:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Iran amb

Orët kalojnë dhe diplomatët iranianë në ambasadën iraniane në Tiranë duhet të vazhdojnë përgatitjet për t’u larguar nga Shqipëria para mesdrekës të së enjtes.

Një makinë tip “Audi” hyn dhe del shpesh herë nga ambasada, por nuk është e qartë nëse ka persona që hyjnë apo dalin nga godina.

Ndërkohë, një makinë transporti ka sjellë një fuçi, ku po digjen dokumentet që ndodhen në zyrat e ambasadës. Nga oborri duket tymi i flakëve.

Gazetari Muhamed Veliu që po ndjek nga afër zhvillimet në terren raporton se ka ardhur një postier nga Ministria e Jashtme, që ka sjellë një sqarim tjetër, pas dorëzimit të notës për largimin e diplomatëve. Ata kanë afat për t’u larguar deri të enjten në orën 12:00.

Në ambientet e jashtme të ambasadës u panë dhe forca të policisë, por pasi u përballën me portën e mbyllur me dryn, janë largua sërish.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot vendimin ekstrem të qeverisë shqiptare, duke ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, vendim që pason sulmin kibernetik ndaj institucioneve qeveritare. Rama tha se ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe atë të sigurisë./tch/