Letërkëmbimi që zbulon shqiptarin i cili u bë i famshëm nga spiunimi, por emri nuk bëhet i ditur
Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”
Një ngjarje e pazakontë, krejt e panjohur, por që del në vitet `50 në gjermanisht, e nxit at Paulin Margjokajn të konsultohet si gjithnjë më Mustafa Krujën për vërtetësinë e saj. Fakti është: një agjent shqiptar hyn në Ambasadën Angleze në Ankara dhe vjedh që andej dokumente me rëndësi të lartë, siç janë ato të luftës, duke ua shitur gjermanëve. Një histori që për kohën pushton mediat dhe konsiderohet prej tyre mjaft e rëndësishme për kontekstin historik kur bota gjendej në valët e Luftës së Dytë Botërore. “Ket akt spijunazhit e çmojnë shum gazetarë si mâ të randsishmin e ksaj lufte, prandej më intereson me dijtë sa mâ shum per ket shqyptar qi ka fitue nji famë botnore me ket “bravuren” e vet”, – i shkruan frati pukjan Krujës. Nga ana e tij, ky i fundit sigurisht nuk e lë pa përgjigje edhe këtë rast, që e shohim në letrat e mëposhtme.
Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.
“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nw ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Ramleh (Aleksandrí), 15. 10. 1950
I dashtuni mik,
Mora letrën t’Ânde të k.m. e me gjithë përkthimin e dokumentavet latinë. Të falem nderës fort e shpresoj se s’kam me pasun mâ për do kohë mundime kaq të randa me Të dhânë.
Tash “Ndrekë Topija kishte vetëm sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram” sekretar slav qi din gjuhën e shkrimin slavisht? Ase kishte sekretar slav e ai vetë, Ndreka, dinte gjuhën e shkrimin slavisht? Apo tjetër? Ksi shtegu s’po T’ap tjetër mërzí.
Kishem me dashun qi bisedimet T’ona me këtë korrespondencë të kândshme qi kemi nisun të zhvillohen mbi thema historike. Me gjithë këtê mbasi po dishron me Të tfillue edhe nji lâmsh politike të tashme, edhe un po Të përgjigjem.
Balli Kombtar u krijue në Shqipní nën pushtimin italjan si lëvizje qëndreset prej prinjësve jugorë nën kryesín e Midat Frashërit. Lëvizje nacjonaliste në bashkëpunim të ngushtë me Nacjonalçlirimtaren, dmth. me komunistat deri ditën qi këtyne u a muer mêndja qi mund të veprojnë pa ta edhe kundra tyne madje. Si në çdo partí, edhe Balli kishte të djathtën e të mângjëtën e vet. E para kishte për leader Alì Këlcyrën dhe e dyta Abaz Ermenin, strukun ky nën hijen morale të Frashërit. Në mërgim ndryshim’i koncepteve e taktikës politike mbë nj’anë e antagonizmat personale në tjetrën e thelluen e e zgjânuen edhe mâ fort hendekun ndërmjet dý tendencave. E mangjëta me personalitetin e Frashërit, të njohun e të përkrahun edhe prej disa qarqeve inglize, me personalitetin e fortë të Prof. Abas Ermenit e me metodat gati komuniste mbërrini me shtí në dorë në mërgim krejt drejtimin e organizatës. Ksaj gjâje i ndihmoi edhe largim’ i Këlcyrës prej Italije tue ardhun me zânë vend këtu n’ Egjypt si protagonist nga ana e partís së vet, dmth. e anës së djathtë t’asaj partije, për nji bashkpunim edhe me Mbretin Zog. Duhet shënue edhe nji fakt me rândsí: komunistat kishin dijtun qysh në Shqipní me va mbushun mênden aljatvet qi Balli Kombtar kishte tradhtue kauzën e këtyne tue bashkpunue tinzisht si me Italjanët ashtu edhe me Gjermanët. Ky bashkëpunim, sidomos me Gjermanët, kishte ndodhun për njimênd kur Balli qe shtrëngue me hymë në shamatë me komunistat, ish shokët e vet. Kështu qi të vûmen kambë në Bari, qi ishte pushtue prej Inglizvet, si Frashëri ashtu edhe Këlcyra u kapën e u ndrŷn në nji fushim aljat. Frashëri, me ndihmën e miqve të vet ingliz, u lirue shpejt – ndoshta edhe tue i a veshun të tâna akuzat vetëm shoqit të vet, me sa ky tjetri mbet nja motmot e gjŷmsë i ishulluem në fushim.
Pra kur va deshi puna aljatvet me krijue nji komitet shqiptar antikomunist i a ngjitën dorën Midat Frashërit. Ky e formoi komitetin me Zef Palin, nji ish profesor shkodran qi në vênd t’vet për influencë në popull s’e njihshin as pulat e oborrit, si ka pasë thânë i shueti Dom Lazër Shantoja, e veten e tij si kryetar n’emën të Ballit.; me Abaz Kupin e Nuçi Kotën, të birin e ish-kryeministrit Kota n’emën të Lëvizjes së Legalitetit (monarqiste-zogiste) e me Seid Kryezín (të vllán e Cena Kryeziut të vramë dikur në Pragë e të Gani Kryeziut, sod gjallë në Jugoslaví) n’emën të nji partije të formueme ad hoc mbë kâmb’ e në dorë, pse Inglizët kishin bashkëpunue me tê në Shqipní, si me Abaz Kupin, e prandej e dojshin me doemos në komitet. Partij’e tij u quejt Partij’e Katundarvet. Kështu qi u la jashta komitetit Bloku Kombtar Indipendent si grup ish kolaboracjonistash edhe Grup’i Kosovarvet edhe ky si kolaboracjonist e për mâ tepër edhe për mos me i ramë ndesh Titos.
Tash në dritën e këtyne tfillimeve krejt synthetike Ti sigurisht ke me dijtun me pamë disi qartë në veprën e në fjalët e Alì Klissurës qi ke lexue në gazetë. Ke me kuptue se komiteti qëndron mun ashtu si qe formue e se lëvizja e Aliut âsht jashta atij e kundra atij, së paku në formimin origjinal qi ruen ende. Balli, pjesa e mângjët, por n’ emën të krejt organizatës, ka hymë edhe në Frontin Antikomunist Agrar interbalkano-danubjan n’Amerikë. E Klissura me shokë thonë se kjo ka qenë nji e drejtë e partís së Kryeziut, se Balli s’âsht nji partí agrare. Kongresin e Bagnolit e bâni Aliu me shokët e vet tue përvetue emnin e organizatës së Ballit Kombtar, ndërsa tjerët, tue quejtun ata veten me at’emën e tjerët disidenta, kanë mujtun, formalisht me të drejtë, me e mohue atë kongres. Hasan Dosti, ish Ministër i Drejtsís në … kabinetin e Mustafa Krujës në mâ të shumën e kohës qi ka vazhdue kjo qeverí e dorhjekës mandej në shênj protestimi pse u varën tre komunistat e parë në bazë të ligjve qi ai vetë kishte hartue e nënshkrue si dhe tinzisht antar Ballit po n’atë kohë qi hartonte e firmonte ligjët antikomuniste, âsht nji qi Anglo-Amerikanët vûnë në krye të komitetit si diq Midati. Qe, kjo âsht Babelja shqiptare, lum miku! Të falem nderës fort se më ke bâmë me qeshë me atë frazë ashtu sikur qeshet P. Gjergji n’ Anzat e Parnasit “veç pse s’muj me kjá”… A proposito: athue kishe mujtun me m’a gjetë nje-këtë libër qoftë edhe hua për do kohë? S’ ka libër tjeter qi i a ndiej mallin sa këtij në kto kohna.
Qyr sa e mêndshme kjo copë letër : mbaroi shi atje ku duhej, me gjithë qi pikën e mbrapme s’më la me i a vû! Me këto biseda kështu po m’a nxit mâ fort mallin për Tý. Sa i gzuem do të ishem me Të pasun afër! Por mjerisht s’po mundem as djalin t’em me e pasun këtu. Sa mizore âsht kjo jetë. Shumë e shumë shëndete të perzêmërta.
Mustafa
BOLZANO, me 21 tetuer 1950
Fort i dashtun Mik,
Pardje e mora letren tande e të falem nderës per tfillimin njimend sintetik por krejtë të kjartë qi më dhae mbi partín “nacjonaliste” BALLI KOMBTAR a e b . Ka pasë thânë dikund njiherë Fishta: “Mâ lehtas mblidhen nji grusht pleshta, se nji grusht Shqyptarë”.
Fjalët latine “Ndrekë Topija kishte sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram” Ti i paske perkthye kshtu: “sekretarë slav qi dín gjuhen e shkrimin slavisht”. Mndyra e dytë e perkthimit t’And âsht krejt e gabueshme, tue kenë se scientes, qi âsht plural, nuk mund të perkojë me subjektin Ndrekë Topija në singular. Mbas mendimit t’em do të ishte ndoshta mâ mirë po t’u perkthete kshtu kjo fjalí latine: “Ndrekë Topija kishte sekretarë slav e asish qi dijshin gjuhën e shkrimin slav” Ktu kemi nji et në mjedis e kjo lidhcë do të bashkojë dý pjesë të njaj fjalije. E para pjesë âsht: “Ndrekë Topija kishte sekretarë slav”, e dyta pjesë: “ai kishte “scientes sclavicam linguam et litteram” = conoscenti la lingua e la scrittura slava: Kjo âsht fjalë per fjalë. Taman shqyp: “Asish qi dijshin gjuhen e shkrimin slav”. E kta qi dijshin gjuhen e shkrimin slav, mbas të tana gjasësh do të jén kenë shqyptarë, mjesá sekretarët po na i paska pasë slavë, e kta kuptohet vetvetiut se kanë dijtë gjuhen e shkrimin slav.
Ndoshta edhe ky perkthimi i em âsht teper me hamende, por tjeter mndyrë s’dij as vetë.
Pvetjet e mija kso here janë:
1) Atentati i Vjenës, kúr Ndokë Gjeloshi e shoku i tij paten dashtë me vrá Ahmet Zogun: kush i pat shtî kta me bâ ket atentat?
2) Austrija e para luftës së parë europjane si ka dashë me e rregullue punen e Shqypnís, merret vesht po të kishte dalë fituese ?
3). A din me më kallxue veçanerina permbi at kafazin e Ambashjatës hinglize n’Ankara qi i vodh ksaj dokumenta aq me randsí e u a dorzoi gjermanvet? Tash së vonit ka dalë nji liber me titullin: ” Der Fall Cicero”, shkrue prej Atasheut ushtarak n’ ambashjaten gjermane t’Ankarasë. Ky atasheu âsht nji austriak e thirret Ludwig Moyzich. Ky âsht kenë qi drejt për drejt i ka marrë dokumentat prej atij shqyptarit e i ka percjellë per Berlin. Ket akt spijunazhit e çmojnë shum gazetarë si mâ të randsishmin e ksaj lufte, prandej më intereson me dijtë sa mâ shum per ket shqyptar qi ka fitue nji famë botnore me ket “bravuren” e vet.
Sa per “Anzat e Parnasit” tash i shkruej nji kolegës s’em tue e pvetë pale a e ka a jo. Un drue se edhe ai do të jét në të njajten gjendje si vetë. Kúr na, ai e gjith tjerët, patem lanë Shqypnín perpara, punët ishin ndryshej e nuk e mendojshim kurrkund se do të kishin per t’u sjellë kaq mbrapshtë. Librat shqyp kurrkuj s’i ka rá nder mend me i marrë me vedi. Me gjithkta un tash mundohem per sa të jét e mundun.
Po të ishem vetë atje, fort me ande do të kishem bisedue per sa çashtje shqyptare, e shum sende do të kishem me i kuptue mâ mirë, po të mujtte njeri me folë gjanë e gjatë. Me letra jo gjithmonë mund të shkojë njeri gját.
T’ uroj me gjith zemer shndet e të gjitha të mirat
Miku i yt
P. Margjokaj O.F.M.
Ramleh (Aleksandrí), 11. XI. 1950
I dashtuni Atë,
Tash po gjej rend me i u përgjegjun letrës s’Ate. Nuk besoj se ke për t’a zânë të madhe këtë vonesë.
Për përkthimin e frazës latine Të falem nderës. Natyrisht ky i yti âsht përkthim’i drejtë e jo i imi, edhe s’ ke si e përkthen ndryshe veçse q’ashtu. Tash po vij e T’a zâ derën me … jo mâ pak se 30 fraza aso doret, do madje shumë mâ të gjata. Nuk janë të nguçme. Disa të shkurtna i kuptoj edhe vetë, por nuk due me bâmë gjâ me dyshim. Fjala e moçme thotë: Kur ke mashën mos digj dorën! A po fyhe qi po Të bâj mashë me këtë proverb?
Para se t’i hŷj përgjegjes së pyetjeve të Tua po T’i bâj un edhe nja dý të lehta: 1) A njeh kund andej ndonji Slav qi të dijë edhe slavishten, mâ përpiktas sërbishten e vjetër? Me ç’shoh vetë, kjo e fundit s’po na paska shumë ndryshim prej së soçmes. Kishem me pasun pak gjâ për t’a pyetun. – 2) Dushmani a âsht, si e dij un, nji ndër bajrakët e vogjël të Dukagjinit? – 3) A njeh kund në Shqipní të Verit nji katund qi quhet Dushi?
Atentat’i Vjenës kundra Mbretit Zog ka qênë organizue prej refugjatvet shqiptarë t’atij qyteti e vetëm prej këtyne pa dije të kurrkuj tjetër.
Plan’i monarqís austro-hungare për Shqipnín, po t’a kishte fitue luftën, ka qênë me i dhânë ksaj vetëm nji autonomí të përmbrêndshme, tue i premtue se do t’i njihte indipendencën e plotë kur t’ishte pjekun për tê. Kështu e pat shpallë zyrtarisht Trollmann-i (s’të garantoj për orthografín), në ligjiratën qi bâni për popullin shqiptar në Shkodër mbas pushtimit. Sa për autonomín, këtê administrativisht e vû madje në zbatim menjiherë e asaj do t’i a dijmë për nderë themelat mâ të parët të nji administrate shqiptare.
Punën e atij kafazit shqiptar qi po më pyet edhe un këtu e kam ndie mbasi ka dalë libri qi flet për tê. S’e kam këndue as librin e nuk dij kurrgjâ për atë njeri. Por do t’ ishte për njimênd nji gjâ interesante me dijtun nëse kjo shkelje e nji tradite qi e ka nderue farën t’onë kudo qi na ka ramë puna në botë, âsht bâmë për nji ideal e me nji bindje personale, apo për do pare të shkreta. Më pëlqeu fort ajo fjala “bravurë” ndër thojza qi ke përdorë.
M’a ka marrë mêndja qi do të jetë punë e vështirë me i gjetun “Anzat e Parnasit” e tjerë libra shqip si atê khâ përjashta. Ju qi keni pasë dalë jashtë për studime s’ keni pasun pse me marrë me vete libra të kënduem e të stërkënduem e kategorij’e jonë po dihet se si ka dalë! Librat shqip mund të gjinden vetëm te Shqiptarë qi disi kanë pasun në dhé të huej nji farë banimi të ngulët. Lahutën e Malcís dikush e ka këtu n’Egjypt, madje ka qênë fjala për nji botim të saj rishtas. Por mue më lypë shpirti sod Anzat e jo Lahutën. Gomarin e Babatasit s’e kam lexue fare, s’ kam pasun rasë.
E tash po e këpus bisedën me përshëndetjet e mija të zakonshme, dmth. gjithmonë me miqsín mâ të përzêmërt.
I Yti
Mustafa Kruja
P.S. Frazat latine s’ ke nevojë me m’ i kopjue por vêni vetëm secilës numrin e vet renduer, qi ka në kryet, mbasi kam kopjen. Numri në funt ndër kllapa âsht nji shënim vetëm për nevojën t’eme. Frazën 2 m’a ke përkthye e âsht aty kot./opozita/