SPAK dërgon për gjykim 17 persona, 93 gra në procedurë hetimore

E publikuar: 06/01/2025 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për personat që akuzohen se kultivuan kanabis në sera në Berat.

Për 17 persona është dorëzuar dosja në gjykatë, ndërsa për 93 gra që kujdeseshin për përpunimin e lëndës narkotike u veçua dosja dhe u transferua për kompetencë në prokurorinë e Beratit.

Gjatë operacionit u sekuestrua edhe sasia prej rreth 800 kg kanabis që u gjet në proces tharje.

“Në përfundim të aktivitetit hetimor në kuadër të procedimit penal Nr. 5, viti 2023, dhe pas një hetimi dyvjeçar ndaj 113 (njëqind e trembëdhjetë) personave, përfshirë 95 gra dhe vajza, Prokuroria e Posaçme ka ndarë aktet hetimore. Për 93 prej këtyre grave dhe vajzave është shpallur moskompetenca lëndore për hetim dhe gjykim, duke dërguar aktet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku janë kryer veprat penale. Po ashtu, janë ndarë aktet hetimore edhe për 3 (tre) nga të hetuarit aktualisht, ndërkohë që hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar saktësisht. Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur më 30.12.2024, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për gjykimin e çështjes ndaj 17 të pandehurve të akuzuar, duke bashkëlidhur aktet e procedimit penal nr. 5/1, viti 2023”, thuhet në njoftim.