Sot jepen detajet e para rreth Gjykatës Speciale

E publikuar: 15/09/2016 10:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Speciale Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për herë të parë sot do të mbajnë konferencë për shtyp në Hagë.
Administratorja e Speciales, Fidelma Donlon, në këtë konferencë pritet të shpjegojë procesin e themelimit të Dhomave të Specializuara, që sipas tyre po shkon sipas planit.

“Dhomat e Specializuara do të fillojnë komunikim të drejtpërdrejtë dhe dr. Donlon do të prezantojë faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Internet”, thuhet në njoftimin.

Pas shpjegimit nga Fidelma Donlon në konferencë për media do të flasë prokurori i specializuar, David Schwendiman.

Schwendiman do të flasë për emërimin e tij të së fundi si Prokuror i Specializuar dhe do të shpalosë këndvështrimin e tij mbi rolin dhe përgjegjësinë e Prokurorit të Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dhomat e Specializuara janë vendosur në Hagë, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe autoritetet holandeze. Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

David Schwendiman është emëruar kryeprokuror i Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë.

Ky nuk është emërimi i parë në Ballkan për Schwendiman, i cili ka punuar si prokuror ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe ka kryesuar departamentin special për krimet e luftës në prokurorinë boshnjake gjatë dy viteve të fundit që ai ishte në vend.

Ndryshe, flitet se aktakuzat e para të ngriten në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.