Sonda hënore e Kinës zbulon në vend ujin në sipërfaqen e Hënës

E publikuar: 09/01/2022 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Shkencëtarët kinezë publikuan rezultatet e zbulimit në vend të sinjaleve të ujit në Hënë, nga zbritësi hënor “Chang’e-5”, që ofron dëshmi të re për thatësinë e satelitit.

Studimi, i publikuar të shtunën në “Science Advances”, një revistë me artikuj të botuar pas shqyrtimit nga kolegët, zbuloi se dheu hënor në vendin e zbritjes përmban më pak se 120 ppm ujë, ose 120 g ujë për ton, ndërsa një shkëmb i lehtë vezikular mban 180 ppm, që është më i thatë se në Tokë.

Një aparat në zbritësin hënor mati reflektimin spektral të dheut dhe të shkëmbit në sipërfaqen e Hënës dhe zbuloi në vend ujë për herë të parë.

Përmbajtja e ujit mund të vlerësohet, pasi molekula e ujit ose hidroksili thith me një frekuencë prej rreth tre mikrometrash, sipas studiuesve nga Akademia e Shkencave e Kinës.

Ka qenë era diellore shkaktare për pjesën dërrmuese të lagështisë së dheut të Hënës, sepse ajo ka sjellë hidrogjenin që përbën ujin, mendojnë studiuesit.

Sipas tyre, 60 ppm ujë shtesë në shkëmb ndoshta e ka origjinën nga brendësia e Hënës.

Kështu mendohet se shkëmbi vjen nga një njësi bazalti e vjetër dhe më e lagët para të hiqej në vendin e uljes dhe të kapej nga zbritësi hënor.

Studimi zbuloi se Hëna është bërë më e thatë gjatë një periudhe të caktuar, ndoshta për shkak të çgazimit të mantelit hënor.

Sonda “Chang’e-5” u ul në një prej bazalteve më të reja në sipërfaqen e Hënës, që gjenden në një gjerësi gjeografike të mesme-të lartë. Ajo mati në vend ujin dhe mori mostra me një peshë prej 1731 gramësh.

“Mostrat e marra janë një përzierje e grimcave si nga sipërfaqja, dhe nga pjesa e poshtme,” tha Lin Honglei, një studiues nga Instituti i Gjeologjisë dhe Gjeofizikës pranë Akademisë së Shkencave të Kinës. “Por një sondim në vend mund të matë shtresën më të jashtme të sipërfaqes së Hënës.”

Lin tha gjithashtu se simulimi në Tokë i kushteve origjinale të sipërfaqes së Hënës është i vështirë, prandaj matja në vend është e domosdoshme.

Rezultatet janë në përputhje me analizat fillestare mbi mostrat e marra nga “Chang’e-5”, sipas studimit.

Zbulimet ofrojnë më shumë të dhëna për misionet e sondave kineze në Hënë, “Chang’e-6” dhe “Chang’e-7”. Hetimi mbi rezervat ujore në Hënë është bërë fokusi i vëmendjes, pasi në dekadat e ardhshme do të krijohen stacione hënore me astronautë.